Belgjika po analizon dy mostra të COVID-19 për të përcaktuar nëse ato janë varianti i ri i koronavirusit i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut.
Mjeku Marc Van Ranst, laboratori i të cilit punon ngushtë me organin e shëndetit publik të Belgjikës Sciensano, e bëri njoftimin përmes një postimi në Twitter.
“Ne jemi duke analizuar dy mostra të dyshimta.”– shkruan ai.
Van Ranst më vonë i tha Reuters se mostrat ishin të dyshimta sepse nuk ishin varianti Delta, i cili përbën pothuajse të gjitha infeksionet në Belgjikë.
Ai shtoi se rezultatet e analizës duhet të mësohen të premten pasdite.
Sipas raporteve të mediave lokale, të paktën një rast i llojit të ri B.1.1.529, ose varianti ‘Nu’ është zbuluar në vend. Raportohet se virusi u gjet tek një grua të re që së fundmi udhëtoi në Egjipt përmes Turqisë. Pacientja thuhet se nuk ishte vaksinuar dhe as e infektuar më parë me Covid-19. Nëse konfirmohet, rasti belg do të bëhet i pari i zbuluar në Evropë me variantin e ri.
Van Ranst konfirmoi raportet e mediave më vonë gjatë ditës, duke zbuluar se pacientja u kthye nga Egjipti më 11 nëntor, duke zhvilluar simptomat e saj të para 11 ditë më vonë.
Ndërsa shumë pak dihet për llojin e ri B.1.1.529, ekspertët në mbarë botën tashmë kanë dhënë alarmin mbi mutacionet e rënda. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA), për shembull, tha se virusi është “dramatikisht” i ndryshëm nga virusi origjinal dhe mutacioni i tij është “më i keqi që kemi parë deri më tani”.
Lloji i variantit të ri, i identifikuar për herë të parë në Botsvana këtë muaj, tashmë është përhapur gjerësisht në vendet e Afrikës Jugore, duke bërë që shumë vende të ndalojnë fluturimet në rajonin e prekur. Varianti, megjithatë ka dalë jashtë Afrikës, pasi ka raste të raportuara në Izrael dhe në Hong Kong.