Vendosni fjalën kyçe....

Mësuesi i dënuar për pedofili rikthehet në punë, reagon juristja e ZVA-së: Është punësuar sipas ligjit por do rishikojmë kontratën e tij


Në një prononcim për Report Tv juristja e Zyrës Arsimore në Berat, Marilda Frashëri, në lidhje me skandalin që një mësues i dënuar më parë për pedofili dhe ngacmim seksual është rikthyer të japë mësim në një shkollë 9-vjeçare, ka deklaruar se ai në Berat është punësuar sipas procedurave ligjore.

Ajo shpjegon procedurën duke thënë se nga portali “Mësues për Shqipërinë” nuk ka shkuar asnjë dhe në dëshminë e penalitetit ai rezulton “i padënuar”. 

Frashëri thotë se ai ka qenë i punësuar me kontratë në disa shkolla të Beratit dhe ka pasur sjellje korrekte por pas reagimit publik ajo shtoi se kontrata e tij do rishikohet.

“Çdo procedurë për punësimin e tij është bërë sipas ligjit. Është shpallur vendi vakant sipas procedurës dhe udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për mësues zëvendësues. Nuk ka ardhur asnjë aplikant nga portali “Mësues për Shqipërinë”. I jemi drejtuar me shkresë Drejtorisë Rajonale të Arsimit me qendër në Korçë për mungesë të aplikantëve dhe nuk ka ardhur asnjë person. Ndërsa Engjëll Bregu ka sjellë dosjen fizike në Drejtorinë Arsimore dhe që prej 2014 personi ka një dëshmi penaliteti “i padënuar” pra rezulton i pastër. Ai ka qenë i punësuar me kontratë në disa shkolla të Beratit dhe ka pasur sjellje korrekte. Tani pas këtij reagimi publik do rishikojmë kontratën edhe pse ai ligjërisht është në rregull. Në Drejtorinë Arsimore ka bërë vetëdeklarim se është i padënuar”, ka deklaruar juristja për Report TV.