Vendosni fjalën kyçe....

Behgjet Pacolli i thur elozhe Edi Ramës: I preferuari im, ka energji dhe dashuri të paparë


Sot nisi puna për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, e në ceremoninë e mbajtur, biznesmeni Behgjet Pacolli nuk i kurseu elozhet ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin tha se e ka të preferuar.

Pacolli e përgëzoi Ramën për punën e bërë, ndërsa theksoi se aeroporti që do të ndërtonte do të jetë më i miri në trojet tona.

 “Unë jam shumë i lumtur që jam aktori kryesor i kësaj vepre, jam i lumtur që kjo ndodh në vendin tim, në qytetin që unë e kam shumë për zemër. Në 20 vitet e fundit asnjëherë nuk kam munguar në Festën e Pavarësisë këtu në Vlorë dhe jam i lumtur se sot jemi për një vepër madhështore.

Jam i lumtur që këtu jam para kryeministrit të cilin unë jashtëzakonisht e preferoj, një kryeministër me një energji të paparë, një kryeministër me një dashuri dhe dëshirë shumë të madhe për të ndryshuar Shqipërinë.

Kryeministër ju ja keni ndalë kësaj pune, ju përgëzoj në rrugëtimin tuaj, ju dhe bashkëpunëtorët tuaj. Jeni duke punuar për qytetarët tanë, jeni duke punuar për popullin tonë.

E them me modesti, edhe ne kemi të drejtë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për një jetë më të mirë për fëmijët tanë, për vetveten dhe për gjithë miqtë tanë.

Na qoftë e mbarë fillimi i kësaj vepre madhështore. Dhe ju garantoj se shumë shpejt në eventin tjetër ne këtu do të avancojmë shumë me punë dhe do vijë dita ku sipas kontratës ne do e hapim këtë aeroport. Do të jetë aeroporti më i bukur në këto troje dhe më funksional në këto troje. Jam i sigurt se do të ndodhe kjo. Nuk e flas vetëm me hamendje por e them bazuar në eksperiencën time dhjetëra vjeçare dhe për faktin se unë bashkëpunoj me njerëz të cilët garantojnë eficensë dhe kualitet.”- u shpreh Pacolli.