Qeveria e re e Afganistanit ka kërkuar nga organizatat ndërkombëtare të mos ndalin ndihmat humanitare. Kryeministri taliban në daljen e parë publike shprehet i gatshëm për marrëdhënie të mira me të gjithë shtetet si dhe për një bashkëpunim ekonomik. Fajtor për situatën financiare sipas tij është qeveria e shkuar.
Kryeministri taliban i Afganistanit ka mbajtur fjalimin e parë të tij publik pas tre muajsh nga largimi i aleatëve.
Mullah Mohammad Hassan Akhund, në qëndrimin e tij theksoi se dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me të gjithë shtetet.
Madje ai theksoi dhe kërkesën për raporte të mira ekonomike.
Sa i përket kërkesave të shteteve të mëdha, Akhund shtoi se janë mbajtur të gjitha zotimet dhe se kjo përpjekje do të vazhdojë deri në formimin e një qeverie islamike.
Tashmë situata ekonomike në Afganistan është e rënduar ku edhe valuta ka njohur një zhvlerësim të fortë. Gjysma e popullsisë, rreth 38 milionë banorë, janë në rrezikun e skamjes ndërsa tërheqja e trupave ushtarake të aleatëve është pasuar me ndihma humanitare.
Në këto kushte Akund ka bërë thirrje të mos ndalen ndihmat dhe të ndihmohet popullata.
Kjo situatë, tha ai, vjen si pasojë e keqëqeverisjes së mëparshme.
Pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët SHBA-ja ka ngrirë rreth 10 miliardë dollarë të rezervave të Bankës Qendrore afgane.
Po ashtu, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndaluar qasjen e Afganistanit në fondet që japin.