Vendosni fjalën kyçe....

Blinken paralajmëron Rusinë: Çdo agresion ndaj Ukrainës do të shoqërohej me pasoja serioze


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar Moskën se çdo agresion në Ukrainë do të shkaktonte “pasoja serioze”. Kjo deklaratë e tij vjen pas shqetësimeve në rritje të Perëndimit për një shtim të njësive ushtarake ruse pranë kufirit ukrainas.

Duke folur në një konferencë shtypi në Riga, ku ai po merr pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, Blinken e quajti grumbullimin e trupave ruse “të pazakontë” dhe shtoi se “çdo veprim përshkallëzues nga Rusia do të ishte një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara”.

Mbështetja shtesë për ushtrinë e Ukrainës dhe potenciali i forcimit të forcave të NATO-s të vendosura përgjatë kufirit lindor të aleancës janë temat që pritet të jenë në rendin e ditës në takimin dy-ditor në kryeqytetin letonez.

Aleatët po kërkojnë t’i tregojnë Kremlinit se do të përballet me kosto të rënda nëse kërcënon Ukrainën, ndërsa nuk do të provokojë Moskën në agresion të mëtejshëm.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss nga ana tjetër tha se çdo sugjerim se NATO po provokonte Rusinë ishte “qartësisht i rremë”.

“Çdo veprim i Rusisë për të minuar lirinë dhe demokracinë që gëzojnë partnerët tanë do të ishte një gabim strategjik.”- shtoi ajo, citon RT.

Ukraina, e cila aspiron të bëhet anëtare e NATO-s, po dërgon ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba në bisedimet në Riga.