Policia gjermane tha të martën se 14 persona të dyshuar për trafikim të disa tonëve kokainë nga Amerika Jugore drejt Gjermanisë janë arrestuar dhe rruga e vjetër me dekada e tyre për trafikim është shpërbërë si pjesë e një hetimi ndërkombëtar.
Njëzet e tetë persona dyshohen për lidhje me nëntë dërgesa me rreth gati pesë tonë kokainë, thanë Zyra Federale e Policisë Kriminale e Gjermanisë dhe zyra e prokurorit publik të Berlinit përmes një deklarate të përbashkët.
“Me fletarrestimet dhe kërkimet e sotme, ne e kemi thyer zinxhirin furnizues”, tha kryeprokurori Georg Bauer.
Më shumë se 40 vende u bastisën në Gjermani dhe jashtë vendit si pjesë e operacionit dhe policia konfiskoi prona në vlerën e mbi 14 milionë eurove nga tetë persona, shkruan Reuters.
Policia gjermane tha se përpos forcave për sundimin e ligjit në Berlin e Dortmund, në këtë operacion ishin të përfshirë edhe hetues nga Spanja e Letonia.
Në shkurt të këtij viti, autoritetet doganore të Gjermanisë e Belgjikës gjetën dhe konfiskuan një sasi rekorde prej më shumë se 23 tonëve kokainë në dy bastisje.
Sasia e kokainës së konfiskuar në Bashkimin Evropian kishte shënuar rekord në vitin 2019 me 213 tonë, sipas të dhënave të agjencive të BE-së dhe Kombeve të Bashkuara.