Vendosni fjalën kyçe....

Loja e shahut mes NATO-s dhe Rusisë në Ballkan


*Nga Scott Ritter

SHBA-ja dhe NATO-ja janë përpjekur që Bosnje-Hercegovina të bashkohet me aleancën për më shumë se 15 vjet. Minoriteti serb i Republika Srpska, i mbështetur nga Serbia dhe Rusia, po angazhohen në kufij të pasigurt për ta ndaluar këtë.

Ora po shënon fatin e paqes në Bosnje-Hercegovinë që ka rezistuar që nga vendosja e Marrëveshjes së Dejtonit. Marrëveshja e Dejtonit u emërua pas qytetit të Dejtonit, Ohio, shtëpia e bazës së Forcave Ajrore ‘Wright-Patterson’, ku, më 21 nëntor 1995, palët në konfliktin e Bosnjës arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme civile që shpërtheu gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

Marrëveshjet u nënshkruan zyrtarisht në Paris, më 14 dhjetor 1995. Që nga ajo kohë, Bosnja është qeverisur nga një presidencë trepalëshe, me përfaqësues nga territoret boshnjake, kroate dhe serbe që përbëjnë popullsinë multietnike.

Që nga viti 1995, kjo qeveri e koalicionit ka operuar nën syrin vigjilent të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) për Bosnje dhe Hercegovinën, e krijuar për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës duke kryer mbikëqyrjen e funksioneve të qeverisë, të tilla si ushtria, gjyqësori, mbledhja e taksave dhe doganave dhe shërbimet e inteligjencës, që zakonisht janë kompetenca e vetme e një shteti sovran.

Më 29 tetor 2021, ky koalicion i brishtë dhe paqja që ai mbikëqyr, u trondit nga një njoftim i Milorad Dodik, anëtar serb i presidencës trepalëshe, se ai synonte të tërhiqte serbët nga ushtria e përbashkët boshnjake-hercegovinase e rikrijimin e ushtrisë serbe të Bosnjës – një institucion që, në vitin 2007, u shpall fajtor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për kryerjen e akteve të gjenocidit gjatë luftës civile.

Deri në fund të nëntorit, Dodik është zotuar të zbatojë më shumë se 100 pjesë të legjislacionit të propozuar që do të bënte që Republika Srpska – entiteti serb brenda Federatës së përgjithshme të Bosnje-Hercegovinës, president i së cilës ai është – të tërhiqet nga qeveria qendrore e Bosnjës dhe të formojë të sajën, në një institucion paralel. Nëse ai do të vepronte sipas propozimeve të tij, kjo do të nënkuptonte fundin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Ndërsa Dodik ka kërcënuar më parë me veprime të tilla, këtë herë bota po i kushton vëmendje. Arsyeja që ai ka përmendur për kërcënimin e fundit është një ligj i shpallur nga OHR në korrik 2021, që ndalon mohimin e gjenocidit edhe pse arsyet e vërteta qëndrojnë në luftën më të madhe gjeopolitike midis Rusisë dhe NATO-s.

Në vitin 2006, Bosnje-Hercegovina iu bashkua programit Partneriteti për Paqe – faza e parë e një procesi me shumë hapa për anëtarësimin e plotë eventual në NATO. Katër vjet më vonë, NATO nisi Planin e Veprimit të Anëtarësimit (MAP) – mekanizmi formal me anë të të cilit anëtarët shqyrtojnë një aplikim. MAP-i Boshnjak-Hercegovinez ishte i kushtëzuar që rreth 63 instalime ushtarake në territorin e atij vendi t’i jepeshin kontrollit të plotë federal.

Megjithatë, Republika Srpska, deri më sot, ka refuzuar të dorëzojë 23 objekte në territorin e saj. Pavarësisht refuzimit të Republika Srpska për t’u pajtuar, NATO vazhdoi dhe miratoi MAP-in. Megjithatë, deri më sot, Dodik e ka vonuar aktivizimin e saj përmes ushtrimit të vetos. Kërcënimi i tij për të tërhequr forcat serbe nga ushtria federale e Bosnje-Hercegovinës është lëvizja e fundit në parandalimin e anëtarësimit në NATO.

Veprimet e Dodik duhet të shihen si një politikë më e madhe e mbështetur nga Serbia dhe Rusia, të cilat jo vetëm që e konsiderojnë Marrëveshjen e Dejtonit si një paqe të imponuar dhe OHR-në që ajo krijoi të ngjashme me një mbikëqyrës kolonial, por edhe pranimin e Bosnje-Hercegovinës në NATO si një kërcënim të papranueshëm – dhe, në rastin e Serbisë, ekzistencial – për sigurinë e saj kombëtare.

Në korrik, pas imponimit të ligjit të lartpërmendur që ndalon mohimin e gjenocidit, i nxitur nga Valentin Inzko, një diplomat austriak që shërbeu si OHR deri në largimin e tij në të njëjtin muaj, Rusia, e mbështetur nga Kina, sponsorizoi një rezolutë përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i hequr OHR-së kompetencat e saj mbikëqyrëse. Kjo përpjekje u mposht.

Megjithatë, në fillim të nëntorit, Rusia dhe Kina ishin të suksesshme në heqjen e çdo përmendjeje të OHR-së nga një rezolutë që zgjeronte një forcë paqeruajtëse në Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa heqja e çdo përmendjeje të OHR-së nga kjo rezolutë nuk e eliminoi autoritetin e saj, ajo i dha Rusisë mundësinë për të etiketuar Christian Schmidt, diplomatin gjerman që zëvendësoi Inzkon, si një ‘person privat’ kur iu referua një raporti të OHR-së për situatën në Bosnje, që qarkulloi në Këshillin e Sigurimit.

Ky denigrim i OHR-së e shtyn më tej qëllimin e Dodik për t’i bërë institucionet e OHR-së të parëndësishme dhe për të hequr gjyqtarët evropianë që aktualisht kryesojnë Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës. Dodik e ka bërë të qartë se synimi i tij nuk është rifillimi i luftës civile; qëllimi i tij i vërtetë, dhe ai i Rusisë dhe i Serbisë, është të bllokojë përthithjen e Bosnjës në NATO, duke forcuar kështu profilin gjeopolitik të Rusisë dhe Serbisë në Evropë në kurriz të një marrëveshjeje të parë prej kohësh si një arritje diplomatike historike e SHBA-së.

Për këtë qëllim, Dodik ka ofruar një kompromis me të cilin ai do të ndalojë së shtyri zbatimin e veprimeve legjislative që ai ka kërcënuar në këmbim ose të shfuqizimit të plotë të atij që ai e quan “Ligji i Inzko” në lidhje me mohimin e gjenocidit, ose një ndryshim në “Ligjin e Inzkos” që do të mbulonte vrasjen e serbëve nga forcat boshnjake-kroate në kampin e përqendrimit të Jasenovacit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nëse kompromisi i Dodikut pranohet, ai do të përfaqësonte një degradim të mëtejshëm të statusit të OHR-së, duke çuar më tej qëllimin ruso/serb për të eliminuar atë zyrë krejtësisht, dhe duke fuqizuar Dodikun dhe serbët e Republikës Srpska për të bllokuar përgjithmonë aplikimin e Bosnje-Hercegovinës për anëtarësim në NATO.

*Scott Ritter është një ish-oficer i inteligjencës së Trupave marinse të SHBA-së dhe autor i ‘SCORPION KING: Përqafimi vetëvrasës i Amerikës i armëve bërthamore nga FDR te Trump’. Ai shërbeu në Bashkimin Sovjetik si inspektor që zbatonte Traktatin INF, në stafin e gjeneralit Schëarzkopf gjatë Luftës së Gjirit dhe nga 1991-1998 si inspektor i armëve i OKB-së.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani