Vendosni fjalën kyçe....

Çoi në burg personin e gabuar pas përdhunimit, shkrimtarja amerikane kërkon ndjesë pas 40 vitesh: Juve jeta ju grabit padrejtësisht, përdhunuesi im mbeti i lirë


Autorja amerikane Alice Sebold ka kërkuar falje për rolin që ka luajtur në dënimin e burrit të gabuar, i cili vetëm javën e kaluar u shpall i pafajshëm për përdhunimin e saj në vitin 1981, pasi kishte kaluar vite me radhë në burg.

Në librin e saj të kujtimeve të titulluar “Lucky” apo “Me fat”, tregon se si ajo ishte përdhunuar dhe më vonë i tha policisë se kishte parë një burrë me ngjyrë në rrugë për të cilin besonte se ishte sulmuesi i saj.

Anthony Broadwater u arrestua dhe u dënua, duke kaluar 16 vjet në burg.

Por javën e kaluar u zbulua se Broadwater ishte dënuar pa të drejtë dhe u shpall i pafajshëm.

Sebold më pas bëri një deklaratë ku kërkonte ndjesë: “Më vjen keq mbi të gjitha për faktin se jeta që mund të kishit bërë ju grabit padrejtësisht dhe e di që asnjë falje nuk mund ta ndryshojë atë që ju ka ndodhur dhe nuk do ta ndryshojë kurrë”.

Broadwater përmes një deklarate të publikuar nga avokatët e tij, tha se ai ishte “i lehtësuar që ajo kërkoi falje”.

Libri i Sebolt ku tregonte historinë e përdhunimit shiti më shumë se një milion kopje dhe nisi karrierën e saj si shkrimtare. Ajo vazhdoi të shkruante romanin “The Lovely Bones” i cili u shndërrua në një film të nominuar për Oscar nga Peter Jackson.

Por pas kësaj, Shtëpia botuese e librit ka njoftuar se do të ndalonte shpërndarjen e tij ndërsa do të punonte me zonjën Sebold për të “menduar se si mund të rishikohej vepra”.

Libri jepte detaje se si zonja Sebold u sulmua kur ishte një studente 18-vjeçare në Universitetin Syracuse në Nju Jork.

Muaj më vonë, ajo raportoi se kishte parë një burrë me ngjyrë në rrugë që mendonte se ishte sulmuesi i saj dhe njoftoi policinë.

Një oficer më pas e ndaloi Broadwater-in, i cili thuhet se kishte qenë në zonë në atë kohë.

Pas arrestimit të tij, zonja Sebold nuk arriti ta njihte atë kur iu kërkua nga policia të zgjidhte mes disa burrave të vënë në rresht, duke zgjedhur një burrë tjetër. Por Broadwater u çua gjithsesi në gjyq dhe zonja Sebold e identifikoi atë si sulmuesin e saj në gjykatë. Ai u dënua në bazë të shpjegimeve së saj dhe analizës mikroskopike të flokëve.

Pasi u lirua nga burgu në vitin 1998, Broadwater mbeti në regjistrin e shkelësve seksualë.

Por ai u shfajësua më 22 nëntor të këtij viti pasi një rishqyrtim i çështjes zbuloi se ai ishte dënuar pa patur prova.

Dënimi i tij i gabuar doli në dritë pasi një producent ekzekutiv që punonte në një adaptim filmik të librit “Lucky” ngriti pyetje mbi rastin dhe më vonë punësoi një hetues privat.

“Disa gjëra m’u shfaqën si të pazakonta në sistemin e drejtësisë penale amerikane – veçanërisht procedura e formimit ku Alice zgjodhi personin e gabuar si sulmuesin e saj … por ata e gjykuan gjithsesi.”– tha Timothy Muçiante për programin BBC’s Today.

Ai tha se i diskutoi shqetësimet e tij me anëtarët e tjerë të ekipit të prodhimit, por u sigurua se libri ishte verifikuar dhe rishikuar nga avokatët.

Muçiante tha se ai punësoi një hetues të mërkurën dhe deri të premten të dy burrat ishin të bindur se kishte pasur një gabim drejtësie.

Ai e përshkroi atë si një “tragjedi të tmerrshme… jo vetëm për sa i përket sulmit fatkeq të Alice-s, por edhe një lloj sulmi metaforik ndaj Anthony Broadwater, i cili kaloi 16 vjet në burg dhe 23 vjet më pas si një dhunues i regjistruar seksual”. .

Muçiante tha se ishte “e pamundur” që ai të fajësonte 18-vjeçaren Alice Sebold për dënimin e gabuar.

“E lexova ndjesën e Alice dhe Anthony ishte shumë i sjellshëm në pranimin e asaj ndjese dhe unë vërtet e duartrokas atë për këtë. Ky është lloji i personit që ai është.”- tha ai.

Me të dëgjuar lajmin se ai ishte liruar nga krimi, Broadwater i cili sot është 61 vjeç, i tha agjencisë së lajmeve AP se po qante me “lot gëzimi dhe lehtësimi”.

Zonja Sebold nga ana tjetër tha në deklaratën e saj se ajo i kishte kaluar tetë ditët e fundit duke u përpjekur të “kuptonte se si mund të kishte ndodhur kjo”.

“Unë gjithashtu do të përballem me faktin se përdhunuesi im, sipas të gjitha gjasave, nuk do të dihet kurrë, mund të ketë vazhduar të përdhunojë gra të tjera dhe sigurisht nuk do ta vuajë kurrë kohën në burg që bëri zoti Broadwater.”- shtoi ajo.