Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu: ISHP po bën gati mostrat për të analizuar nëse “Omicron” ka mbërritur në Shqipëri


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet ku bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.

 Ajo foli në lidhje me variantin e ri “Omicron” të virusit ku u shpreh se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së këtij varianti.

Manastirliu deklaroi se ISHP do të dërgojë disa mostra për analizim për të parë nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.

“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave.

Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën.”– tha Manastirliu.

Duke folur për këtë variant, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha: “Omicron nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë. Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj.

Për sa i përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda. Ajo çka ka rëndësi është që të vlerësohet ai evitimi i imunitetit qoftë natyror qoftë edhe nga vaksina. Megjithatë kemi të dhëna, jo të gjitha të dhënat e mundshme, por që vaksina ka një efektivitet prandaj është shumë e rëndësishme të vaksinohemi.”