Vendosni fjalën kyçe....

Debati/ Basha: Nuk komentoj vendimet e SHBA-së. Lubonja: Ik nga partia, kjo është t’i bësh budallenj shqiptarët


Mes kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe Fatos Lubonjës ka pasur një përplasje lidhur me komentimin e shpalljes non grata të Sali Berishës.

Basha gjatë emisionit “Real Story” përsëriti se nuk komenton pse e kanë shpallur “non grata” Sali Berishën.

Për këtë Lubonja nuk është dakord dhe i kërkoi të ikte nga partia pasi sipas tij me këtë deklaratë Basha kërkon t’i bëjë shqiptarët budallenj.

Debati:

Basha: Edhe zoti Bardhi si një nga bashkëpunëtorët e mi e ka ditur prej tre muajsh. nuk ka qenë sekret. Berisha ka thënë që nuk më intereson PD para vetes sime. Ajo që ka ndodhur për 3 muaj me radhë unë kam investuar gjithçka personalisht dhe politikisht për një zgjidhje për akomodimin e interesave të zotit Berisha pa dëmtuar interesat e PD dhe muri që kam hasur ka qenë nuk më intereson asgjë para vetes sime, nuk vë asgjë para vetes sime. Nuk janë akuza. E ka thënë vetë, e ka thënë në konferencë për shtyp. E ka thënë në emision televiziv. Ka thënë një parti që nuk mbron dinjitetin njerëzor nuk meriton të ekzistojë. E ka thënë publikisht para anëtarëve të PD. Që ndonëse jam në presion, unë familja, ime, PD-ja, mandatin nuk e jap. Qartësisht ka vendosur interesat e tij personale mbi interesat e grupit, mbi interesat e demokratëve. Nuk është thjesht çështje kështu ka vendosur perandoria. Pa diskutim as kam komentuar dhe as komentoj vendimet e qeverisë së SHBA-ve.

Lubonja: Si nuk mund t’i komentosh. Ik nga partia atëherë. Jam komentator dhe i komentoj. Si nuk mund t’i komentosh ti. Kjo është t’i bësh budallenj shqiptarët. Ndihem i fyer që thua kështu. E komenton Amerika vetë e para. E komenton Biden, Trumpin. Kjo është t’i bësh shqiptarët budallenj, mbyllni sytë. Afganistani ishte dështim total dhe ky thotë nuk komentoj. Kur komenton Afganistanin, komenton dhe gjënë tënde. Jeni i bindur se Sali Berisha është i korruptuar? Më jep një përgjigje.

Basha: Mos nxirrni jashtë kontekstit. Me shumë respekt zoti Lubonja. Nuk dua që të nxirret jashtë konteksti ajo që thashë. Kam komentuar çdo vendim të SHBA-ve që ka të bëjë me interesin kombëtar të shqiptarëve. Nuk mund të komentoj një vendim non grata. Nuk mund ta ndikoj këtë vendim të qeverisë amerikane. Përkundër gjithë presionit të SHBA-ve, BE-së, OSBE-së dhe aleatëve të mi nuk pranova që komisionerët e zgjedhjeve…Ka dy plane, plani etik dhe politik. Në planin etik kemi vendosur një standard unë, PD dhe nëse doni vetë zoti Berisha, ka thënë publikisht një person non grata nuk meriton të jetë as kryetar partie, as deputet.

Lubonja: Dhe Tom Doshin duhet ta mbronit. Keni parë ju ndonjë gjerman që shpallet non grata.

Basha: Unë kërkoj të shpallet non grata Gjiknuri, Tahiri, jo të më thuash të mbroj Tom Doshin. Vendimet non grata ne nuk i kemi diskutuar asnjëherë, rasti e ka dhënë që kanë qenë nga ana e kundërshtarit tonë. Ky vendim na ra ne kokës, në këtë moment përgjegjësia është të merret me pasojat e menjëhershme të kësaj traume. Për 3 muaj me radhë jam përpjekur me dialog të vazhdueshëm me Sali Berishën, me autoritetet amerikane pasi është shpallur non grata të bëj diçka ndryshe nga standardi i vendosur për Tom Doshin, është më e pakta që meriton, për Vangjush Dakon, është më e pakta që meriton…Pikërisht duke respektuar kontributin e zotit Berisha, pikërisht duke mbrojtur interesat e PD kam arritur në këtë vendim pezullimin nga grupi parlamentar sipas zotimit të vetë zotit Berisha. Nuk komentoj vendimet e SHBA-ve sepse i konsideroj një shtet demokratik dhe i kemi pranuar si një juri. I kemi pranuar si juri kur thonë që Shqipëria është kthyer në vendkryq të trafiqeve ndërkombëtare, nuk mund të ndjekim standarde të dyfishta. Për pasojë dikush që është non grata në SHBA-të nuk mund të jetë shpëtimi i Shqipërisë. Dikush që është non grata nga PD-ja nuk mund të jetë shpëtim.