Vendosni fjalën kyçe....

Bjellorusia do votojë për Kushtetutën e re, Lukashenko: E kam shkruar vetë, kur të iki të ndahen pushtetet


Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka zbuluar se vendi i tij do të shkojë në kutitë e votimit në shkurt të vitit të ardhshëm për të votuar për një kushtetutë krejt të re që ai thotë se do të rishpërndajë pushtetin dhe do të krijojë një strukturë të re qeveritare.

Duke folur për RIA Novosti, Lukashenko tha gjithashtu se draftin e Kushtetutës e ka shkruar vetë dhe do të publikohet pas rreth një muaji. Pastaj, vitin e ardhshëm, ‘nëse nuk ka luftë’, do hidhet në votim.

“Ne duam të marrim sugjerime nga njerëzit,” shpjegoi Lukashenko.

“Unë mendoj se ne do të jemi në gjendje ta mbajmë atë sipas planit në shkurt, siç e kishim planifikuar.” – shtoi presidenti bjellorus.

Para votimit pritet që amendamentet e finalizuar të hidhen për diskutim publik, i cili mund të zhvillohet në gjysmën e parë të dhjetorit.

Sipas liderit bjellorus, dokumenti i ri do të marrë parasysh rolin në rritje të qeverisë, parlamentit dhe Asamblesë Bjelloruse dhe do të rregullojë pozicionin e presidentit. Lukashenko sugjeron se Kushtetuta duhet të ndryshojë në mënyrë që të rishpërndaheshin disa nga pushtetet presidenciale në favor të degëve të tjera të qeverisë.

Sipas tij, struktura e tanishme e presidentit është shumë e fuqishme.

“Sigurisht që një ditë do të iki. Në një apo dy vjet. Por ne nuk mund t’ia dorëzojmë Kushtetutën askujt. Sepse do të jetë një fatkeqësi. Kjo është ajo nga e cila kam frikë më shumë”, tha Lukashenko.