Nëse Rusia përdor ushtrinë e saj kundër Ukrainës, Moska do të shohë përgjigjen më të ashpër ndonjëherë nga SHBA dhe partnerët e saj të NATO-s, duke përfshirë sanksione të paprecedenta, kërcënoi Uashingtoni.
Duke folur përmes një lidhjeje video në Forumin e Sigurisë në Kiev, nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland përsëriti mbështetjen e qeverisë amerikane për ish-republikën sovjetike.
“Ne jemi të vendosur për të dërguar mesazh në Moskë, se nëse ajo lëviz përsëri për të destabilizuar nga brenda Ukrainën ose për të përdorur këto forca për të hyrë në vend, se do të përballet me masa ekonomike që nuk janëpërdorur ndonjëherë nga e gjithë NATO-ja”, theksoi ajo.
Deklarata e saj vjen pasi tensionet mbeten të larta në kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë, me media të shumta perëndimore që sugjerojnë se një konflikt është afër. Pavarësisht mohimeve të përsëritura të Kremlinit, Moska është akuzuar se po përgatitet për luftë, me disa që sugjerojnë një pushtim dimëror.
Nuland gjithashtu vuri në dukje se SHBA mund të luajë një rol mbështetës në zgjidhjen e konfliktit në Donbass duke punuar me Kievin për të ndihmuar riintegrimin e rajonit në Ukrainë.
Sipas Nuland, Uashingtoni mbështet ende Protokollin e Minskut dhe i bëri thirrje Ukrainës që të hyjë në negociata me Rusinë për të zgjidhur konfliktin shtatëvjeçar.
Protokolli i Minskut është një marrëveshje armëpushimi, e nënshkruar në vitin 2014, që synonte t’i jepte fund luftës në Donbas. Konflikti në rajon filloi pas ngjarjeve në sheshin Maidanit të vitit 2014, kur protestat e dhunshme në rrugë rrëzuan një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Kjo përfundimisht çoi në dy republika të vetëshpallura, Donetsk (DPR) dhe Luhansk (LPR), që shpallën pavarësinë, një lëvizje që nuk njihet as nga Ukraina, as nga Rusia apo ndonjë shtet i OKB-së.