Vendosni fjalën kyçe....

‘Eksodi’, pse po largohen një e nga një të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të zv.presidentes amerikane


 

Eksodi nga ekipi i Kamala Harris pritet të shkojë më tej me dy këshilltarë të tjerë të lartë, të cilët thuhet se u thanë kolegëve të tyre se do largohen. Lajmi vjen një ditë pasi zëdhënësja dhe një nga këshilltaret më të afërta të zv.presidentes amerikane dha dorëheqjen.

Peter Velz, drejtori i operacioneve të shtypit të Harris dhe Vince Evans, zëvendësdrejtor i Zyrës së Angazhimit Publik dhe Çështjeve Ndërqeveritare, thuhet se do të japin dorëheqjen në të ardhmen e afërt, raportoi Washington Post, duke cituar zyrtarë të administratës.

Pasi Velz dhe Evans pritet të largohen si ndihmës të Harris, ata mund të mos qëndrojnë të papunë për një kohë të gjatë, me median amerikane që raporton se ata ka të ngjarë të gjejnë punë  në administratë ose pranë saj.

Raporti vjen pas largimit të këshilltares dhe zëdhënëses kryesore të Harris, Symone Sanders. Duke komentuar largimin e Sanders të enjten, Harris tha se ajo ‘mezi pret të shohë’ se çfarë do të bëjë më pas ish-zëdhënësja e saj, ndërsa shmangu pyetjet nëse ishte pjesë e një riorganizimi të afërt në shkallë të gjerë në ekipin e saj të komunikimit.

Largimi i Sanders erdhi menjëherë pasi drejtoresha e komunikimit e Harris, Ashley Etienne, njoftoi se do të largohej para fundit të vitit për të ‘ndjekur mundësi të tjera’.

Eksodi vjen mes raporteve për mosfunksionim në ekipin e Harris dhe grindjeve të brendshme midis stafit të saj dhe atij të presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë. Thuhet se ka pasur shqetësime në rritje se Harris nuk është e pozicionuar mirë për t’u bërë pasardhëse e Biden nëse ai nuk kandidon për një mandat të dytë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani