Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në asnjërin prej Kuvendeve të thirrura më 11 dhe 18 Dhjetor. Ai tha se ky ishte një debat mes liderit historik të PD-së Sali Berisha si dhe kryetarit aktual të partisë Lulzim Basha.
“Unë kam një pjesë reflektimi timin, është situatë e vështirë në 30 vjet të PD-së. Nuk është aq e lehtë. Është një situatë brenda familjes kur ka një debat kaq të fortë familjar, ka një debat ku reagojnë ndaj Berishës. Personalisht nuk mund të reagoj ndaj Berishës sepse është një figurë e madhe për demokratët. Unë si një demokrat që në momentet e para të votimit e kam parë si një figurë serioze Berishën.
A ka ai probleme politike? Shumë. A la ai një parti të dobët, një parti jo institucionale? Patjetër. Dhe unë në këtë qasje meqë është një debat i tyre unë kam vendosur ose do të vendos që mos të shkoj tek të dyja kongreset.”– tha Alizoti, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”.
Sipas Alizotit as Basha e as Berisha nuk e sjellin dot PD-në në pushtet. Madje, deklaroi se ai vetë do të votonte kundër të dy figurave pas përplasjes së tyre brenda selisë blu.
“Unë shikoj krizë në PD dhe mendoj që të dy palët janë pjesë e krizës. Po e them haptas sot dhe mendoj që të dyja palët nuk e sjellin dot PD-në në pushtet. Atëherë unë nëse rreshtohem në një palë thelloj krizën bëhem dhe unë pjesë e krizës. Akti im është qëndrimi im. Në votimin nëse do kishte dy? Po. Unë do votoja të dy kundër.”- tha Alizoti.