Vendosni fjalën kyçe....

Politikani opozitar në Azerbajxhan rrihet barbarisht: Ishte policia, më lidhën e më vunë qese plastike në kokë (VIDEO)


Politikani i opozitës së Azerbajxhanit, Tofiq Yaqublu, thotë se është rrahur rëndë gjatë mbajtjes në ndalim policor, pasi u arrestua në një protestë të mërkurën.

Familjarët e Tofiq Yaqublu thonë se politikani është rrahur rëndë nga policia ndërsa aktivistë të tjerë janë zhdukur pas tubimit të së mërkurës për lirimin nga burgu të aktivistit tjetër të opozitës, Saleh Rustamli.

Yaqublu, i cili është anëtar i Qendrës së Koordinimit të Këshillit Kombëtar të Forcave Demokratike të Azerbajxhanit dhe një anëtar drejtues i partisë opozitare Musavat, u dërgua me urgjencë në spital vonë më 1 dhjetor pasi u lirua nga paraburgimi me mavijosje në fytyrë dhe trup. Të paktën kështu tha e bija e tij Nigar Hazi i për Radio Evropa e Lirë më 2 dhjetor.

Hazi postoi një video të babait të saj në YouTube ku tregonte shenjat e rrahjes, veçanërisht fytyrën e tij të mavijosur dhe të fryrë.

Në video, Yaqublu thotë se policia e rrahu pasi e ndaloi.

“M’i lidhën duart me pranga pas shpinës, më vendosën një qese plastike në kokë dhe filluan të më rrihnin në mënyrë të pamëshirshme.”- shprehet opozitari.

“Më dukej se po vdisja. E shqeva qesen me dhëmbë që të mund të merrja frymë. Qesja më ishte ngjitur për fytyrë.”- shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Elsad Haciyev tha më 2 dhjetor se “pretendimet se Yaqublu se ishte dhunuar ndërsa ishte në paraburgim policor janë të pabaza”.