Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthimi i vullkanit në Indonezi, një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur


Një person ka vdekur dhe dhjetëra janë plagosur pasi shpërthimit të vullkanit në ishullin Java të Indonezisë.

Banorët e këtij ishulli u filmuan duke u larguar me vrap nga një re gjigante hiri që dilte nga mali Semeru ku ndodhet vullkani.

Dëshmitarët thanë se fshatrat e afërta ishin të mbuluara me copëza dhe tymi i dendur që fshihte diellin, duke i lënë ata në errësirë.

Zëvendëskryetarja e qarkut Lumajang bëri të ditur se numri i të plagosurve ka shkuar në 41, duke thënë se ata kishin pësuar djegie.

Indah Masdar kërkoi helikopterë për të ndihmuar në shpëtimin e të paktën 10 personave të bllokuar në ndërtesa.

“Ne jemi në ankth të madh.”- tha ajo, citon BBC. “Është pikëlluese, familjet e tyre po qajnë të gjitha”. Agjencia e Indonezisë për zbutjen e fatkeqësive (BNPB) më vonë tha se kishte dijeni për 35 persona që po trajtoheshin në objektet mjekësore lokale.

Përpjekjet për evakuim janë penguar nga tymi mbytës, ndërprerja e energjisë elektrike dhe stuhitë e shiut gjatë shpërthimit që i kthyen copëzat në baltë.