Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi nënshkruan sot marrëveshjen zyrtare për hyrjen e Alternativës në Qeveri.
Siç bëjnë me dije mediet e shtetit fqinj, gjatë fjalës së tij Zaev tha se kjo marrëveshje nënshkruhet për të pasur një qëndrueshmëri politike për të hapur negociatat me BE-në, bisedimet me Bullgarinë dhe për të vazhduar luftën kundër Covid-19.
“Firmosëm marrëveshjen për të pasur një shumicë të qëndrueshme në parlament edhe në qeveri. Këtë na e kërkojnë qytetarët dhe ne e arritëm. Kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve. U morëm vesh se në këtë moment është shumë e rëndësishme që të kemi një garanci që vendi të shkojë para deh të ketë vazhdimësi për të çelur integrimet me BE-në për të vazhduar bisedimet me Bullgarinë dhe luftën kundër Kundër virusit.”– tha Zaev, citon Zhurnal.
Parimet e nënshkruara nga dy liderët, Zaev – Gashi:
- Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mobilizojë të gjitha kapacitetet e shtetit dhe shoqërisë me qëllim hapjen e negociatave me BE-në, përfundimin me sukses të të gjithë kapitujve dhe anëtarësim të plotë në BE si qëllim strategjik, në afat kohor sa më të shkurtër.
- Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.
- Qeveria do të miratojë Ligj të ri për zhvillim rajonal të barabartë dhe do të punojë në mënjanimin e të gjitha pengesave që të mundësojë zhvillimin e rajonit të Likovës, në mënyrë që ky rajon të bëhet i barabartë me të gjitha rajonet e tjera në vend në aspektin e komponentëve zhvillimorë.
- Qeveria do të zhvillojë dhe zbatojë politika për promovimin e të drejtave dhe interesave të të gjithë individëve dhe komuniteteve në vend, ndërsa në veçanti do të japë mbështetje për familjen si një nga komponentët thelbësorë të jetës shoqërore.
- Qeveria do t’i analizojë ligjet dhe politikat e përgjithshme të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ato do t’i përmirësojë në drejtim të zbatimit më efikas të tyre.
- Qeveria do ta ridefinojë Ligjin për përmbarues, duke u udhëhequr para së gjithash nga kërkesat e qytetarëve, në mënyrë që ai të jetë në funksion të interesave të tyre tyre, e më pas edhe në interes të institucioneve.
- Qeveria do të inicojë procesin e ndërtimit të Strategjisë Nacionale për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit, në të cilën do të insistohet të marrin pjesë të gjitha palët e procesit arsimor, si dhe partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet ndërkombëtare. Ndërkohë Qeveria do t’u dërgojë edhe thirrje zyrtare institucioneve ndërkombëtare për vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë në vend.
- Qeveria do të mbetet në qëndrimin për mbrojtjen ekonomike të popullatës dhe nuk do të lejojë ngritje të çmimit të energjisë elektrike më shumë se 20% gjatë vitit 2022, duke subvencionuar qytetarët dhe kompanitë dhe duke miratuar masa të tjera ekonomike.
- Qeveria do të punojë për të rritur cilësinë, efikasitetin dhe përshpejtimin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe zbatimin e projekteve në të gjitha nivelet, përmes rritjes së nivelit të përgjegjësisë, të cilën bartësit e funksioneve publike dhe nëpunësit shtetërorë e marrin para qytetarëve.