Vendosni fjalën kyçe....

Britania bën të detyrueshme pajisjen e maceve me mikroçip


Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka zbuluar një plan të detyrueshëm mikroçipimi për macet shtëpiake, i krijuar për ta bërë më të lehtë ribashkimin e kafshëve shtëpiake të humbura me pronarët e tyre. Ata që refuzojnë të injektojnë macet e tyre me një çip do të përballen me gjoba deri në 500 stërlina.

Plani i mikroçipimit u zbulua nga Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale të shtunën. Masa thuhet se gëzon mbështetje dërrmuese të publikut, me ‘99% të njerëzve’ që mbështesin mikroçipimin e detyrueshëm të maceve shtëpiake, sipas qeverisë.

“Macet janë pjesë shumë të dashura të familjeve tona dhe të sigurohemi që ato të jenë me mikroçipe është mënyra më e mirë e mundshme për t’u siguruar që të ribashkoheni me to nëse ndonjëherë humbasin ose vidhen,” tha në një deklaratë Ministri i Mirëqenies së Kafshëve, Lord Goldsmith. .

Sipas statistikave zyrtare, shumica e maceve të Britanisë tashmë janë të pajisur me mikroçipe gjurmuese, me rreth 2.8 milionë nga më shumë se 10.8 milionë mace shtëpiake që nuk kanë një të tillë. Në të njëjtën kohë, tetë nga dhjetë macet endacake që përfundojnë në strehimore nuk kanë një mikroçip të instaluar.

Sipas rregullave të reja, të gjitha macet do të duhet të pajisen me një mikroçip përpara se të mbushin moshën 20 javëshe, me të dhënat e kontaktit të pronarëve të tyre të ruajtura në një bazë të dhënash. Ata pronarë, macet e të cilëve ndodhen pa një pajisje të tillë, do të kenë një periudhë pritjeje prej 21 ditësh për ta pajisur kafshën e tyre me çip, pas së cilës nëse nuk e bëjnë këtë do të gjobiten deri në 500 stërlina.

Masa është përshëndetur nga organizatat bamirëse britanike të maceve.