Vendosni fjalën kyçe....

Babai i Klodian Rashës: Të zbardhet përpjekja për të përbaltur tim bir, vunë një armë për ta inkriminuar


Babai i Klodian Rashës ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së të birit.

Në homazhet në nderim të 25-vjeçarit i cili u qëllua për vdekje nga prapa nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, Qazim Rasha tha se persona të inkriminuar ishin përpjekur të përbaltin të birin duke i vënë një armë në mënyrë që ta fajësojnë.

Ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të gjejnë personin që ka vënë armën pranë vendit të ngjarjes, në të kundërt do e bëjë vetë këtë gjë.

“Dua të shpreh mirënjohje për secilin që ka shpreh interes ndaj familjes time. besoj që nuk ka qenie njerëzore që imagjinojë që një nënë një baba aq më tepër një malësor si puna ime, të imagjinojë të shesë dhe të blejë gjakun e fëmijës. Ky është faji i asaj lloj qenie që mund ti shkojë ndërmend, jo faji im. Jemi banorë të këtij shteti dhe e ka për detyre që atë që ndoshta nuk e ka bërë deri tani, ta bëjë. Më esencialja që kërkoj është zbardhja e inkriminimit që persona të caktuar u munduan që fëmijën ta përbaltin, inkriminojnë dhe të arrijnë deri aty sa të vendosin edhe armën aty sa fëmija të bëhet kriminel. Ja kërkoj shtetin që përbaltjen e djalit, inkriminim dhe personin që vendosi armën ta gjejë, sa unë nuk kam vendos akoma për ta kërkuar dhe për ta gjetur vetë. Lus Zotin që tragjedi dhe plagë të tilla të mos përjetojë asnjë person.” – tha Qazim Rasha.

Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi Nevaldo Hajdaraj në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2020 pasi kishte shkelur orën policore.

Ai u qëllua nga pas teksa po përpiqej t’i largohej policisë. Për ngjarjen e rëndë efektivi Nevaldo Hajdaraj, u dënua me 15 vite burg por do vuajë 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për disa ditë me radhë, Tirana e disa qytete u përfshinë nga protesta të të rinjve që çuan në largimin e ministrit të Brendshëm, Lleshaj, i cili dha dorëheqjen.