Dyqanet ushqimore në provincën New Brunswick të Kanadasë tani lejohen të mos u shesin mallra e ushqime blerësve që nuk janë të vaksinuar.
Ligji i shpallur nga ministrja e Shëndetësisë në New Brunswick, Dorothy Shephard, u jep dyqaneve ushqimore, qendrave tregtare dhe salloneve mundësinë e zbatimit të rregullave të distancës fizike ose të kërkojnë dëshmi të vaksinimit për të hyrë në objektet e tyre.
“Me dimrin vjen moti më i ftohtë, ditët më të shkurtra, më shumë kohë e kaluar brenda dhe mundësia e shtuar për përhapjen e Covid-19.” – tha Shephard.
Pa pranuar çështjet rreth mohimit të qasjes në ushqim, Shephard sugjeroi se respektimi i masave të reja nuk do të jetë i vështirë.
“Ato janë veprime të vogla që çdo person mund t’i ndërmarrë, por kur kombinohen, mund të bëjnë një ndryshim të madh.“- tha ajo.