Vendosni fjalën kyçe....

“Në shënjestër” publikon të dhënat e dosjes belge: Si Safet Bajri terrorizonte pronarët e lokaleve në Bruksel


Brutal, të paskrupujt, të gatshëm për të kryer gjithçka për të vënë në jetë qëllimet e tyre kriminale. Kjo është historia e patreguar e Bajrave, një prej bandave më famëkeqe në veriun e Shqipërisë, por jo vetëm.

Edhe në Belgjikë, aty ku filloi lulëzimi dhe rrënimi i tyre përfundimtar. Por si u kthye kjo bandë në tmerrin e rrugëve të Brukselit dhe të pronarëve të bareve?

Cilat ishin mënyrat mizore me të cilat kërcënonin dhe shantazhonin këdo që u dilte përpara, duke mos njohur asnjë pengesë në arritjen e qëllimeve të tyre?

‘Në shënjestër’ sjell të plotë, të pathënat e Bajrave në Belgjikë, nëpërmjet dosjes së policisë belge. Dosje e cila na tregon, ndërmarrjen kriminale që kishin ngritur katër vëllezërit Bajraj, të investuar në prostitucion, zhvatje, kërcënime serioze për jetën deri edhe në eliminime fizike.

Ku mbi të gjithë, ai që spikaste, ishte një emër. ‘Mbreti’ apo ndryshe ‘Lordi’, Safet Bajri që pak kush më parë ia dinte bëmat e vërteta.

Për të rrëfyer pikërisht mizorinë e këtij grupi dhe kreut të saj Safet Bajri, do të duhet të kthehemi në vitin 2014. Në Belgjikë, aty ku banda nisi punët e saj të para të errëta në botën e krimit. Por si mundi kjo bandë të ngrihej kaq shpejt në kupolën e krimit?

Cila ishte mënyra se si punonte?
Përse policia belge u vu në alarm, dhe ‘omerta’ që kishte përhapur kjo bandë, ku askush nuk guxonte të fliste. Si kjo bandë kërcënonte dhe shkatërronte çdo biznes që nuk i bindej në lagjet e Brukselit?

Ku, kush nuk bindej, kishte fatin e personazheve të mëposhtëm të rrëfyer përpara policisë belge. Ku, metoda ishte një dhe e vetme. Kush nuk bindej në fillim paralajmërohej, më pas banda niste nga kërcënimet verbale deri te plumbat.

Lulzim Gërxhaliu, pronar i një bari të sapohapur në sheshin Simons, po udhëtonte atë mëngjes të herët të 20 qershorit 2014, në bulevardin D’Anvers me makinën e tij ‘Audi’, kur papritur ndjeu plumbat të preknin automjetin e tij. I frikësuar ai vazhdoi rrugën, duke zgjedhur të heshtë. Fatmirësisht ajo nuk ishte nata e tij për të shkuar në atë botë.

Plumbat i prekën vetëm automjetin, por pa sjellë probleme në shëndetin e tij.
Të shtënat me armë zjarri që erdhën nga kafe ‘Diamonds’, u raportuan menjëherë në stacionin lokal të policisë, e cila u vu në lëvizje për të gjetur autorët dhe viktimën e këtij incidenti të pazakontë. Por në drejtim të policisë nuk pati asnjë ankesë.

Vetëm 6 ditë më pas policia mundi të gjejë autoveturën e Lulzim Gërxhaliut dhe të konstatojë shenja plumbash vetëm disa centimetra larg derës së drejtuesit të mjetit.

Por drejtuesi i automjetit, Lulzim Gërxhaliu, ishte zhdukur dhe policia nuk kishte asnjë gjurmë prej tij. Ishte kjo një shenjë, se një kod heshtje po fillonte të zbatohej në rrugët e Brukselit. Vetëm dy ditë më pas, më 28 qershor, Lulzim Gëxhaliu, mposhti frikën dhe u bë i gjallë.

Ai mori kontakt me shërbimin e policisë dhe u tha që ishte dakord që t’i takonte dhe të fliste.  Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë, Luli nxori emrat e Bajrave.

Dëshmia e Lulzim Gërxhaliut
“Mëngjesin e ngjarjes po qarkulloja në Bulevardin D’Anvers në drejtim të ‘Place Simonis’. Ndërsa isha ndaluar në semafor, përballë lokalit ‘Le Diamond’, vërejta 3 burra që dolën nga lokali. Pikërisht kur drita e semaforit u bë jeshile, dëgjova një të shtëne arme. I frikësuar, vazhdova rrugën drejt sheshit ‘Simons’, ku në të ndalur vërejta një goditje plumbi në pjesën anësore të automjetit”.

Vetëm disa orë më vonë, Lulzim Gërxhaliu mori një telefonatë, nga njëfarë Riki. Gjatë telefonatës ky i fundit i tha se e shtëna e mëngjesit të sotëm ishte ‘peshqesh’ nga ana e Dushit dhe e Safet Rustemit.

I pyetur nga ana e oficerëve të policisë, Gërxhaliu pohoi se e njihte Dushin, dhe se ky i fundit ishte pjesë e një bande famëkeqe shqiptarësh që krijonin telashe në Bruksel.

Gërxhaliu tha më tej se ishte menduar gjatë për të bërë padi, pasi kishte frikë nga kjo bandë për reputacionin e keq që kishin në Bruksel. Por kush ishin personazhi me emrin Dushi dhe Safet Rustemi me mbiemër të ndryshuar, që Lulzim Gërxhaliu përmendte në dëshminë e tij.

Çfarë do të zbulonte policia belge nëpërmjet numrit GSM të Rikit që ishte dorëdhënësi i peshqeshit të plumbave ndaj Gërxhaliut? Përse filloi të shqetësohej policia belge pas zbulimit që bëri?

Gjatë intervistimit në polici, Lulzim Gërxhaliu, u bëri të njohur përfaqësuesve të rendit numrin GSM të të ashtëquajturit Riki, i identifikuar në bazën e të dhënave si Raman Aljimi.

Riki sipas të dhënave të policisë lokale, përshkruhet si ‘një ndër pesë shefat e një bande hajdutësh të dhunshëm të cilët kërcënonin dhe zhvasnin lokalet e natës, kryesisht në komunën SCHAERBEEK’.

Nga analiza e të dhënave telefonike rezultoi se natën e goditjes së makinës së Gërxhaliut, Aliji dhe Sead Selhani i njohur ndryshe si Dushi, kishin pasur 7 komunikime me njëri-tjetrin, dhe njëri prej tyre kishte ndodhur në afërsi të vendit të ngjarjes më 20 qershor 2014.

Gjurmimi i telefonatave nxori në pah se vetëm disa orë pas ‘peshqeshit’ të plumbave, ‘Riki’ Raman Aliji provoi të telefonojë Lulin, i cili ia ktheu menjëherë telefonatën, çka konfirmonin deklaratat e dhëna në polici nga Lulzim Gërxhaliu më 28 qershor 2014. Gjithçka tashmë ishte e qartë, pas plumbave fshihej banda e Bajrave.

Dushi nuk ishte tjetër përveçse Sead Selhani, vëllai me mbiemër të ndryshuar i Safet Bajrit, ‘mbretit’ që po terrorizonte baret e Brukselit.
Edhe ky i fundit, sipas dëshmisë së viktimës së atentatit, pjesëmarrës me të vëllain e tij, në Coffe Diamonds, në të shtënat ndaj makinës së Gërxhaliut.

“E njoh Dushin prej të thënave. Bën pjesë në një grup shqiptarësh që krijojnë probleme në Bruksel. Nuk e kuptoj përse më kanë qëlluar. Sapo kam hapur një kafe në ‘Simonis’ dhe nuk dua probleme. E mësova nga persona të tjerë që rrinë në Yser dhe ma kanë inatin për shkak të një zënke që ka ndodhur në muajin shkurt 2014. Jam menduar gjatë përpara se të bëj padi pasi kam frikë nga ky grup për nga nami që kanë”.

Tashmë, edhe vetë policia belge kishte një panoramë më të qartë të aktivitetit kriminal të bandës së rrezikshme nga veriu i Shqipërisë dhe të asaj se çfarë ishte e aftë kjo organizatë kriminale të kryente.

Por Lulzim Gërxhaliu nuk do të ishte pronari i vetëm dhe i fundit i bareve që do të kërcënohej nga Bajrat në rrugët e Brukselit.
Siç Gërxhaliu, do të pohonte në deklaratën e tij të mëtejshme në polici, grupi që për qëllim kishte zhvatjen nëpërmjet dhunës, apo detyrimin nëpërmjet tytës së armës për të marrë në pronësi baret në zonat e tyre të influencës, ishte i përbërë nga disa vëllezër, të cilët mbanin mbiemra të ndryshuar.

VINI RE: Ky material është pronë intelektuale e BalkanWeb