Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kërkoi në Kuvend që të votohej marrëveshja, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, që vendi ynë të marrë një mbështetje për zbutjen e efekteve të pandemisë COVID-19.
Ajo tha se investimet do të vijojnë deri në fund të pandemisë së COVID-19 në mbështetjen e personelit shëndetësor dhe sigurimin e vaksinave.
“21 muaj më vonë sfida e kësaj përballje me një emergjencë kaq të rrallë mbetet njësoj e vështirë. Ka testuar çdo hallkë të sistemit tonë shëndetësor, ka vënë në provë çdo pjesë të këtij sistemi. E kuptueshme është lodhja prej pandemisë. Por sado e gjatë të duket kjo përballje vigjilencën nuk duhet ta ulim dhe përpjekjet për të mbrojtur jetën e qytetarët duhet ti intensifikojmë.
Virusi është një realitet i panjohur që po shtyn shumë vende perëndimor t’i kthehen masave më të ashpra se në fillim të pandemisë. Falë punës së palodhur të mjekëve dhe infermierëve sistemit shëndetësor nuk pësoi kolaps. Varianti i ri i ka dhënë një tjetër dimension i të panjohurës. I kemi bërë të gjitha këto duke patur përballë jo thjeshtë virusin, por edhe sulmet e akuzat që i kaluan edhe kufijtë e absurdit.”- tha Manastirliu.
Më tej gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se do të vijnë brenda 6 mujorit të parë të 2022 mbi 5.5 milionë vaksina.
.Ajo theksoi rëndësinë e vaksinimit duke thënë se është koha të kemi një vrull të ri për një dimër të sigurt, ndërsa shtoi se kemi kaluar në një plan “B” të masave kundër pandemisë.
“Janë garantuar mbi 5.5 mln vaksina, që do të vijnë brenda 6 mujorit të parë të 2022.Vaksina është e garantuar për çdo qytetar. Kemi një rritje në përdorimin e vaksinave në raport me tre muaj më parë dhe kemi filluar prej 3 dhjetorit me dozën përforcuese. Duhet të rrisim mbrojtjen ndaj varianteve të reja. Vaksinimi me dozën e tretë e rrit mbrojtjen.
Është koha të kemi një vrull të ri për një dimër të sigurt për përballjen me rrezikun e virusit. Kemi kaluar në një plan B të masave për parandalimin e përhapjes së virusit. Edhe me të gjitha masat për paraqitjen e kartës së vaksinimit për administratën dhe punonjësit në qendra tregtare duke filluar nga data 4 janar, ose me testin e vaksinimit.”– u shpreh ministrja.