Vendosni fjalën kyçe....

Ndihmoi “Reuters”-in të fitonte çmimin “Pulitzer”, ekzekutohet gazetari në Filipine teksa po shihte televizor


 

Një gazetar fitues i çmimit Pulitzer, që ndihmoi në investigimin e agjencisë së lajmeve “Reuters”, për luftën e Presidentit të Filipineve Rodrigo Duterte kundër drogës, është qëlluar për vdekje.

Jesus Malabana i njohur shkurt si Jess është viktima e fundit e dhunës së vazhdueshme kundër njerëzve që punojnë në media në Filipine.

Sipas deklaratës së Policisë Kombëtare të Filipineve të enjten, Jesus Malabanan u qëllua në kokë të mërkurën në mbrëmje, ndërsa shikonte televizor brenda dyqanit të tij në Calbayog, një qytet në ishullin qendror të Samar-it. Më herët, policia tha se viktima u vra brenda shtëpisë së tij.

Raporti i policisë thotë gjithashtu se sulmi është kryer nga dy persona të cilët nuk janë identifikuar dhe arrestuar ende.

Malabanan u dërgua me urgjencë në një spital privat në qytet, por u deklarua i vdekur pas mbërritjes atje.

Para vrasjes së Malabanan, të dhënat e përpiluara nga Unioni Kombëtar i Gazetarëve në Filipine (NUJP) treguan se të paktën 21 gazetarë ishin vrarë në vend që kur Duterte mori detyrën si president në qershor të vitit 2016.

Si një gazetar i pavarur, Malabanan kontribuoi në disa botime në Filipine, si dhe në agjencinë e lajmeve Reuters.

Në një postim në mediat sociale, gazetari Manny Mogato, i cili ishte gjithashtu ishte pjesë e ekipit të Reuters që fitoi Çmimin Pulitzer 2018 në Raportimin Ndërkombëtar, reagoi lidhur me vrasjen e kolegut të tij.

Ai shkroi se Malabanan “e ndihmoi shumë Reuters në historitë e luftës së drogës që fitoi një Pulitzer në 2018”. Mogato kërkon drejtësi për vrasjen e kolegut.

Raportet thanë se Malabanan ishte kërcënuar në qytetin e tij të lindjes, Pampanga në veri, kështu që ai kishte vendosur të zhvendosej në Samar në Filipinet qendrore.