Vendosni fjalën kyçe....

Boiken Abazi: “Open Balkan” karota e ShBA-së që nuk e ngop urinë e Serbisë


Ish-drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi e quan nismën “Open Balkan” si karotë të SHBA-së për ta larguar Serbinë nga Rusia e Kina.

Open Balkan” është karota e ShBA-së që nuk e ngop urinë e Serbisë për ekspansion territorial. Qartazi kjo nismë i intereson së pari Serbisë, dhe prandaj ka nisur në Novi Sad. Por, ShBA po duket si e gatshme për t’ia shërbyer në tavë Beogradit ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, me kushtin që gjeostrategjikisht ta largojë sado pak nga Rusia e Kina”-shkruan Abazi.

Sipas Abazit, shkopi me sanksione në veri të Kosovës është diçka pozitive por e pamjaftueshme pasi ndaj Milorad Dodikut nuk funksionuan dhe situata në Bosnjë nuk është përmirësuar.

Shqiptarët shkruan Abazi nuk duhet të pranojnë çmimin për të tërhequr Serbinë drejt perëndimit në dëm tonit. Ai thekson se Serbia do territor dhe nuk kënaqet me “Open Balkan”.

Shkopi që ShBA po përdor me sanksione ekonomike kundër grupeve kriminale serbe në pjesën veriore të Kosovës është diçka pozitive, por krejt e pamfjaftueshme. Ndaj Milorad Dodikut sanksione të tilla janë vendosur nga ShBA prej vitit 2017, dhe situata në Bosnje Herzegovinë nuk është përmirësuar, përkundrazi. ShBA duhet të pajtohet me faktin se e ka humbur Serbinë nga sfera e saj e kontrollit, dhe këtë humbje nuk mund ta kompensojë duke i ofruar Serbisë ekonomitë tona. Ndërsa ne nuk mund të pranojmë që çmimi për ta tërhequr Serbinë drejt Perëndimit të jemi vet ne.

Për më tepër, Serbia nuk kënaqet as me “Open Balkan”. Serbia do dhe kërkon territor, pikë”-shkruan Abazi.

Më tej ish-drejtuesi i Vetëvendosjes shkruan se problemet politike nuk mund të zgjidhen me tregti të lirë dhe Serbia duhet të kushtëzohet politikisht.

Sakaq, ata që besojnë se problemet politike mes vendeve zgjidhen me tregti të lirë, mjafton të shohin listën e gjatë të shteteve ndaj të cilave ShBA aplikon sanksione ekonomike. Tregtia e lirë na shitet si dogmë nga shtete që vet nuk e kanë respektuar kurrë plotësisht. Përpara se të flitej për tregti me Serbinë do duhej kushtëzuar politikisht. E më tej, përpara se të flitej për “free trade”, do duhej të flitej për “fair trade”. Për ndryshe, do të përfundojmë edhe të dominuar prej saj ekonomikisht e politikisht, edhe të varfëruar akoma më shumë.

Mbase “Open Balkan” e ka edhe një dozë presioni ndaj BE-së si reagim ndaj mefshtësisë së saj në raport me problemet në Ballkan, por BE-ja i ka punët edhe më lëmsh dhe nga impotenca e saj përfundon me zyrtarë të gatshëm ta përkëdhelin Serbinë, duke kërkuar edhe bosnjëzimin e Kosovës. E ndërkohë, Serbia harxhon për ushtrinë më shumë se pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të marra se bashku…

E vetmja rrugë e drejtë për vendet e Ballkanit është kushtëzimi dhe sanksionimi i Serbisë, dhe jo ledhatimi i saj”-përfundon ai.