Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i Berishës më 11 dhjetor. Çfarë ndodh me PD-në pas kësaj date?


Më 11 dhjetorm Sali Berisha nëpërmjet lëvizjes së “Foltores” ka thirrur një Kuvend nga i cili kërkon rithemelimin e Partisë Demokratike.

Kuvendi vjen pas shpalljes non grata të Sali Berishës dhe përjashtimit të tij nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Berisha dy ditë para Kuvendit zbuloi se më datë 12 dhjetor Kuvendi Kombëtar do nxjerrë një PD të rithemeluar.

Gjithashtu në këtë Kuvend do anulohet çdo vendim i Lulzim Bashës që ka marrë së fundmi në PD.

Berisha tha se Kuvendi do krijojë një komision të përkohshëm i cili do qëndrojë në detyrë deri në rithemelimin e partisë.

PD do të jetë një parti e rithemeluar. Në 11 Dhjetor do anulohet çdo vendim i tij i kohëve të fundit, do krijojë një komision të përkohshëm që do të vazhdojë punën deri në rithemelimin e PD”-deklaroi Berisha.

Por ndërkohë që Berisha zbuloi se Kuvendi do rithemelojë PD-në dhe do krijojë një komision të përkohshëm Arben Ristani një nga organizatorët e Kuvendit ka thënë se Komisioni do drejtojë partinë deri në zgjedhje të reja dhe do përdorë asetet e PD-së.

Ky komision do marri kompetencat për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja. Komisioni do të përdorë asetet e Partisë Demokratike, që do t’ia vërë në dispozicion kuvendi. A do t’i marrë në atë moment apo të nesërmen? Nuk e dimë”-deklaroi Ristani në emisionin Open.

E paqartë është si do vijojë beteja për të marrë selinë dhe vulën e PD-së. Pasi Basha ditën e djeshme pohoi se nuk tërhiqet nga PD-ja. Basha tha se ai është i përgatitur për gjithçka dhe nuk do lejojë askënd të cënojë dinjitetin e demokratëve.

Asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar përveç vendimit tim, për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar. Unë nuk tërhiqem nga beteja për PD. Beteja e Berishës është me SHBA dhe përmes konfliktit që ka nisur do të marrin fund më 18 dhjetor dhe së bashku vijomë betejën tonë kundër regjimit të Ramës, më 11  dhjetor nuk do të ndodh asnjë, nuk do të lejoj asgjë që të cenoj dinjitetit të demokratëve, PD dhe unë jemi të përgatitur për gjithçka”,-tha Basha.

Ditët në vijim do shihet se si do vijojnë ngjarjet në PD ndërkohë që java do jetë më intensive pasi një javë më vonë do zhvillohet edhe Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha dhe kryesia e PD-së. Me gjasa ky Kuvend do zhbëjë të parin dhe në ekstremin e tij do përjashtojë Berishën nga çdo funksion apo marrëdhënie me PD-në.

Përveç zhvillimeve të brendshme partiake e rëndësishme është të shihet edhe ndikimet që kanë faktorët apo aktorët e jashtëm në zhvillimet që po ndodhin në Partinë Demokratike.

Një ditë para Kuvendit të Berishës i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një intervistë për Sokol Ballën në News 24 deklaroi se vendi që ai përfaqëson nuk do e takojë fare Berishën dhe për PD-në do ketë  pasoja nëse zgjidhet ai si kryetar.

Nuk takohemi me të. Është i shpallur. Pra, do të ketë pasoja nëse Partia Demokratike zgjedh dikë që është i shpallur për të qenë udhëheqësi i saj”-tha Escobar.

Një mesazh i fuqishëm dhe i përsëritur i SHBA-ve se shpallja non grata e Berishës impikon edhe Partinë dhe marrëdhëniet me partnerin më të fuqishëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe ndikuesin më të madh edhe në politikën e brendshme të vendit.

Një detaj ndoshta i cili mund të mos e pengojë zhvillimin fizik të Kuvendit por që mund të ketë implikime ligjore dhe sanksione ekonomike është edhe shtyrja e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për Urdhrin që ndalon grumbullimet në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Ditën e djeshme u shpall në Fletoren Zyrtare Urdhri që ndalon deri më datë 13 grumbullimet, pra 2 ditë më vonë se kur do zhvillohet Kuvendi dhe 5 ditë para se Basha të zhvillojë Kuvendin e radhës.

Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë

Kuvendi i Berishës zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, ndërsa sot po vendosej logjistika e duhur për organizimin e tij.

Përveç delegatëve që do kenë vendin e tyre të posaçëm një hapësirë veçmas tyre do jetë për simpatizantët dhe anëtarët e tjerë të Partisë Demokratike të cilët janë thirrur nga Berisha.

Ambasada e SHBA-ve ka bërë thirrje që qytetarët e saj të shmangin këtë tubim pasi mund të ketë edhe zhvendosje të turmës në hapësira të tjera të qytetit.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano tha sot se policia është në gatishmëri dhe do garantojë rendin dhe sigurinë.

Një debat lidhur me Kuvendin dhe Foltoren ka qenë edhe për shpenzimet dhe burimet financiare që kanë ndihmuar në zhvillimin e këtyre eventeve. Duke qenë se Foltorja është zhvilluar në pothuajse çdo Bashki ka pasur një kosto logjistike për lëvizjen nga qyteti në qytet.

Por ajo që shihet me më shumë vëmendje janë shpenzimet për zhvillimin e Kuvendit ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania” ku përgatitjet e skenës dhe mjetet e tjera logjistike të këtyre përmasave dihet që kanë një kosto që mund të shkojë në disa qindra mijëra euro.

Nga nismëtarët e Foltores, është thënë se këto kosto mbulohen nga ana e mbështetësve por nuk është bërë transparente se ku depozitohen kuotat bizneset që mund të jenë përfshirë apo burimet financiare që kalojnë përmes rrugëve zyrtare.

Të gjitha pikëpyetjet do marrin përgjigje ditën e nesërme, por dihet që ky Kuvend do pasohet me shumë zhvillime politike të mëpasshme./ Hashtag.al