Ka përfunduar numërimi i votave për shkarkimin e anëtarëve të kryesisë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Në përfundim anëtarët e pranishëm votuan poër shkarkimin e emrave që ishin në listë, të cilët iu bashkuan Berishës në Kuvendin e thirrur prej tij.
Emrat që nuk do jenë më pjesë e kryesisë janë Edi Paloka, Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia.
Sekretari i Përgjithshëm Bardhi deklaroi para nisjes së votimit se nuk bëhej fjalë për përjashtimin e tyre por shkarkimin nga funksionet që kanë mbajtur deri tani.
Nga 257 anëtarë të Këshillit Kombëtar që morën pjesë në votim, 251 votuan pro shkarkimit, 4 kundër dhe 2 fletë votimi të pavlefshme. Numri total i anëtarëve te Këshillit është 479.
Në njofitmin e PD-së thuhet se brenda pak çastesh do bëhet transparencë e plotë me emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar që morën pjesë në votim dhe përbëjnë shumicën absolute të Këshillit Kombëtar.
Vendimi u mor mbrëmjen e sotme pas një votimi të fshehtë. Fillimisht u miratua rezoluta e propozuar nga kreu Basha e më pas u shkua në votim për propozimin e shkarkimit të anëtarëve që u bashkuan Berishës.
Sipas Këshillit Kombëtar ata kanë marrë pjesë në një lëvizje antistatutore e antiligjore dhe janë bërë pjesë e organizatave paralele në kundërshtim me statutin e partisë e duke mos iu bindur kryesisë së saj.