Vendosni fjalën kyçe....

SPAK sekuestron 1 milion euro pasuri, i kalojnë shtetit


1 milion euro pasuri të sekuestruara një grupi kriminal i kalojnë shtetit, njofton SPAK.

Sipas prokurorisë speciale, pasuritë në fjalë janë një pulari në Shkodër me vlerë 400 mijë euro, një biznes pulari në Shkodër me të njëjtën vlerë, 5 mjete me vlerë 173 mijë euro si dhe 8.6 milionë lekë.

Bëhet fjalë për pasurinë e një grupi pjesë e të cilit ishte edhe Astrit Beqiri. Sipas SPAK, grupi në fjalë merrej me trafik droge e pastrim parash, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që ka operuar jo vetëm në territorin e Danimarkës, por dhe në Gjermani, Holandë, Suedi, Belgjikë e Shqipëri.

Paratë dërgoheshin me linja autobusi në Shqipëri, ku më tej investoheshin në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe në aktivitete biznesi. Vlerat monetare silleshin nga Danimarka në Maqedoninë e Veriut e më pas merreshin nga Dhimitër Shkodrani që i dërgonte te Astrit Beqiri në Shkodër, ku investoheshin në biznese e prona.

Astrit Beqiri është kunati i drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal Jetmir Kastrati (i njohur në Danimarkë si Sokol Krasnici), i arrestuar në Danimarkë.

“Pasuri dhe Cash konfiskuar nga SPAK! Pasuri e krijuar nga aktivitet kriminal – trafik ndërkombëtar droge në Danimarkë. Vlera: ~ 1 Milion € i kalojnë shtetit shqiptar.

Pasuritë & cash konfiskuar nga http://SPAK.al që i kalojnë shtetit shqiptar : *Një aktivitet biznes pulari në Shkodër =400 mijë € / *Një aktivitet biznes pulari në Shkodër =400 mijë € / *5 automjete të ndryshme * / 173 500 € & 8.6 Milion lek cash!” – thuhet në njoftim.