Deputeti Belind Këlliçi ka dalë në një deklaratë për mediet për të sqaruar se për çfarë ishin akuzat e përmendura pak më herët nga ish-kryeministri Sali Berisha, për futjen e personave me armë në selinë e PD-së.
Këlliçi i cili e quan veten ende kryetar të FRPD-së pavarësisht se është shkarkuar nga Lulzim Basha, thotë se kur ka shkuar në zyrën e tij personale, e ka gjetur bravën të ndërruar dhe i ishin vjedhur sendet e tij personale si dhe “USB” me materiale private.
Këlliçi shton gjithashtu se të rinj të FRPD-së kanë shkuar e i janë ankuar se persona me armë i kanë intimiduar dhe bërë presion në seli dhe për të dyja këto thotë se ka telefonuar Policinë, por uniformat blu nuk i janë përgjigjur thirrjes së tij.
Ai shton se do niset menjëherë për të bërë kallëzimin penal në Komisariatin përkatës.
“Fill pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike në ambientet e celisë, ku as nuk kemi cënuar, as nuk kemi fyer njeri, keni qenë vetë prezent… kemi ardhur në ambientet e partisë për të bërë një mbledhje rutinë të radhës.
Kemi shkuar me të rinjtë në ambientet e Forumit Rinor të zyrës sime personale të punës dhe Sekretarit të Përgjithshëm, ku zyra ka qenë me brava të ndërruara, me celësa të ndërruar dhe e bastisur.
Zyra ime sot është vjedhur, është vjedhur zyra e kryetarit të Forumit Rinor dhe përgjegjës bëj drejtpërdrejt Lulzim Bashën sepse nuk e ka kurrkush tjetër kurajon, të hapë, të shkelmojë portat e një zyrtari në PD.
Në zyrën time janë vjedhur sende personale, janë vjedhur usb me materiale private personale të miat dhe për këtë unë do t’i drejtohem tani Komisariatit përkatës për të bërë kallëzimin. Gjatë kohës që kam qenë me të rinjtë duke parë zyrën, ju bëj me dije që ka patur të rinj që kanë ardhur e janë ankuar se janë intimiduar dhe kërcënuar nga persona të armatosur në seli. Nuk e di unë kush janë.
Që të arrish të mbrosh karrigen me dhunë në një parti normale demokratike, kjo nuk është normake në 2021-shin. Nëse mendojnë se trembet ndonjë i ri i Forumit Rinor e kanë shumë gabim, nëse mendojnë se na kanë stepur e kanë edhe më shumë gabim. Përkundrazi, thjesht diskreditojnë veten e tyre dhe shkurtojnë ditët e tyre në politikë.
I kam bërë dy herë thirrje Poicisë, nuk vjen Policia se nuk i jep leje mesa duket kryeministri. Policia vjen këtu vetëm për të mbrojtur Lulzim Bashën e jo për të bërë transparencën dhe detyrën.
Unë do të shkoj tani në Komisariat për të bërë kallëzim dhe do kërkoj të vijë Policia shkencore për të marrë shenjat e gishtave e këtyre kriminelëve. Ta gëzojnë edhe nja 6 ditë këtë uzurpimin e zyrës se do shihemi.
Revolucioni ka nisur dhe nuk e ndal dot më asnjë njeri.”– deklaroi Këlliçi.