Pas takimit që zgjati 70 minuta në selinë blu mes kreut të PD-së Basha e ambasadores amerikane Kim, atij të BE-së Soreca e disa ambasadorëve të vendeve të tjera europiane nuk u dha asnjë deklaratë nga të pranishmit.
Mësohet se takimi ka ardhur me kërkesë të ambasadorëve e vjen një ditë pasi ish-kryeministri Berisha e mbështetësit e tij u futën në selinë e PD-së.
Pjesë e takimit ishin edhe ambasadori italian Fabrizio Buçi, ai gjerman Peter Zingraf, ajo franceze Elisabeth Barsacq si dhe ai britanik Alastair King-Smith. Në përfundim të takimit, as kreu i PD-së Basha e as ambasadorët nuk kanë dhënë deklaratë për shtyp.
Takimi i sotëm vjen pas tensioneve në rritje, debateve, akuzave e kundërakuzave mes kreut të PD-së Basha e ish-kryeministrit Berisha, i cili muaj më parë nisi një lëvizje që sipas tij synon rithemelimin e PD-së.
Lëvizja kulmoi me Kuvendin e thirrur prej tij më 11 dhjetor në përfundim të trë cilit, delegatët e pranishëm votuan për shkarkimin e kryedemokrati Basha e kryesisë së PD-së.
Basha nga ana e tij dhe kryesia e PD-së e kanë hedhur poshtë lëvizjen e Berishës duke e quajtur atë antistatutore e të jashtëligjshme. Ata kanë deklaruar sse demokratët do bashkohen në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit e do ecin para duke zgjedhur të ardhmen ndaj së shkuarës.
Po kështu PD ka paditur në SPAK, tre deputetë të PD-së, Këlliçin, Vokshin e Spahon si dhe dy sekretarët Minarolli e Kaso, duke i akuzuar se kanë falsifikuar vulën e simbolet e partisë në Kuvendin e Berishës. Dy ditë pas Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha, kreu i PD-së Basha thirri Këshillin Kombëtar ku u miratua rezoluta e propozuar prej tij dhe shkarkimi nga funksionet i disa anëtarëve të kryesisë qaë janë bashkuar me lëvizjen e Berishës.
Ditën e djeshme ky i fundit e mbështetësit e tij shkuan në selinë blu, lëvizje që u shoqërua me jo pak tensione, ku u zhvillua një mbledhje. Pas kësaj Basha organizoi një konferencë shtypi me median ku lëshoi akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit Berisha e ku shprehu bindjen se Kuvendi i 18 dhjetorit do e shkëpusë njëherë e mirë PD-në e demokratët nga hallet personale të Berishës e do riafirmojë bashkëpunimin e fortë me SHBA-në.