Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron Bashkitë: Ka një nivel shumë të lartë indiference ndaj qytetarëve, do fusim sanksione


Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot Bashkitë se do të ketë sanksione ndaj tyre në rast se nuk do t’i përgjigjen në kohë ankesave të qytetarëve.

Në një takim në Berat, ku prezantoi sistemin e ri të shërbimeve digjitale dhe ligjin për Bashkëqeverisjen, Rama i akuzoi Bashkitë se kanë një indiferencë të madhe ndaj qytetarëve.

“Platforma ka adresuar 52 mijë ankesa, nuk janë pak, por janë shumë më pak se sa duhet të jenë. Institucionet që nuk i përgjigjen qytetarëve nuk janë të denja për shtetin, për shoqërinë. Përgjigjja, pastaj sa zgjidhen sa jo, kjo nuk varet vetëm nga institucioni.

52 mijë ankesa nuk janë shumë po të kemi parasysh që vetëm në Bashkinë e Tiranës kishte mesatarisht 19 mijë letra që vinin çdo vit me lloj lloj ankesash. 52 mijë nuk janë gjithë ankesat që kanë ardhur, kanë ardhur gati dyfish, por në pjesën tjetër ka një pamundësi zgjidhje për shkak se një pjesë janë të lidhura me pushtete gjyqësore dhe këto nuk i zgjidh platforma, nuk është gjykatë.

Ne e dimë ça problemesh ka sistemi gjyqësor dhe kemi ndërmarrë reformën në drejtësi. Pjesa tjetër janë kërkesa që lidhen me pushtetin vendor. Është për t’u habitur që bashkitë kanë një nivel shumë të lartë indiference ndaj qytetarëve. Me futjen e sanksioneve në ligj, nuk është më çështje subjektive, por edhe ligjore dhënia e përgjigjes dhe në rastin e Bashkive, veç se një detyrim i drejtpërdrejtë, sanksionet do bëjnë që të jetë shumë më panë njerëzve edhe fakti që një institucion vendor nuk t’u përgjigj.”- deklaroi Rama.