Vendosni fjalën kyçe....

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kërkon llogari SPAK-ut: Pse nuk sekuestrohet trualli i teatrit? Kemi prova kundër Kadastrës, të arrestohen Veliaj dhe Lame


Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po zhvillon aksionet e radhës. Nga një deklaratë për mediet para godinës së SPAK-ut, avokatja dhe aktivistja Adriana Kalaja ka kërkuar llogari për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e sekuestros preventive të truallit të Teatrit.

Po ashtu, Kalaja denoncoi Kadastrën se e ka zbatuar keq vendimin e Gjykatës, duke kryer vepër penale për të fshehur ndërtesën e shembur të Teatrit Kombëtar.

Ajo kërkon nga SPAK arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj si dhe të kreut të Kadastrës Artan Lame.

“Ne për të ia bërë me dije edhe publikut më 2 Gusht të këtij viti kemi bërë një kallëzim penal i cili ka si objekt të saj, veprën penale të mosekzekutimit dhe pengimit të ekzekutimit të vendimit në Gjykatën Kushtetuese që lidhet me Teatrin Kombëtar si dhe kundërshtimin për VKM-në e re që ka nxjerrë Këshilli i Ministrave në lidhje me transferimin e truallit të Teatrit Kombëtar.

Do të mjaftonte vetëm ky kallëzim i joni penal që SPAK-u të merrte gjithë hapat ligjor, më së paku duke iu drejtuar Kadastrës për të marrë një informacion lidhur me pozicionin juridik të pronës së Teatrit Kombëtar.

Ne morëm një përgjigje para disa javëve nga SPAK, ku na është konfirmuar që nuk merret masa e sekuestros preventive, megjithëse siç e dini ju, kemi bërë mbi 20 kërkesa radhazi për të vënë sekuestron preventive së pari mbi truallin e Teatrit. Kjo kërkesë është refuzuar pasi prokurori i SPAK-ut e ka quajtur të panevojshme, pasi nuk lidhet me kallëzimin tonë penal.

Në këto kushte ne i nisëm një kërkesë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të parë jo vetëm transaksionet që lidhen me pronën e Teatrit Kombëtar por edhe të pozicionit juridik ku ndodhet prona e Teatrit Kombëtar.

Kjo është prova e re që dua t’jua bëj të ditur edhe juve, po ta shikoni në pikën 2 tregohet se prona sipas Gjykatës Kushtetuese është rikthyer në pronësi të Ministrisë së Kulturës.

Këtu doja të sqaroja publikun se Kadastra me veprimet e saj ka filluar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, por e ka zbatuar keq, në kundërshtim me ligjin dhe mbi të gjitha duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm. Këtu thuhet që u bë kthimi i pronës nga Bashkia tek Ministria e Kulturës, dhe në kllapa thuhet e tipit truall pasi nuk ekziston ndërtesa.

Një pyetje kisha unë për Kadastrën, SPAK-un dhe të gjithë ju: Kjo ndërtesa ku iku? U shit, u transferua, apo u shemb?!

A ka më të qartë se vepra penale që fshihet një pronë nga Kadastra që thotë se prona nuk ekziston? Pra ka një vendim të kundraligjshëm dhe penal që e ka fshirë këtë ndërtesë, vetëm kjo shkresë  duhet ta detyronte SPAK-un për arrestimin e menjehrëshëm të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, të kryetarit të Kadastrës Artan Lames dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të lidhru em veprën penale.

Ju keni dëgjuar analiza të ndryshme pas vendimit të GJK, keni dëgjuar edhe analiza të ndryshme pas kërkesës që I bëmë ne Ministrisë së ulturësK, ku mediet e paguara nga Rama dhe Veliaj, po kështu dhe avokatë të paguar nga Rama e Veliajt, propagandponin se vendimi i GJK është i pazbatueshëm

Kjo shkresë vërteton se jo vetëm është i ekzekutueshëm, por ligji sanksionon se mosekzekutimi i një vendimi të GJK përbën vepër penale. Në këto kushte edhe sot, i kemi kërkuar SPAK-ut administrimin e kësaj prone, i kemi argumentuar ligjërisht në bazë të dispozitave ligjore pse është e konfirmuar tashmë të gjithë veprimet arbitrare penale në lidhje me pronën e Teatrit Kombëtar

Dhe SPAK nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë të shikojë se çfarë ndodh me pronën e Teatrit, por të marrë në mënyrë urgjente masën e sekuestros preventive, së dyti të kalojë çështjen në Gjykatë duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të Veliajt, Lames dhe zyrtarëve të tjerë.

Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi, ai truall i Teatrit, i cili nuk e kuptojmë pse nuk sekuestrohet do të shërbejë vetëm në rindërtimin e Teatrit në të njëjtin projekt siç ka qenë.”– deklaroi Kalaja.