Ambasada Amerikane në Tiranë thotë se asnjë nga ish-zyrtarët e shpallur “non grata” nga Departamenti i Shtetit, në kuadër të luftës kundër korrupsionit nuk do të falet. Kujtojmë se një ndër ta është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Në një njoftim në “Twitter”, Ambasada thotë se numri i personave të shpallur “non grata” nga Uashingtoni është mbi 200, por shton se ka zero kërkesa faljeje për ta.
“Në rast se jeni kureshtarë: Numri i përcaktimeve të ligjit 7031 (c) është mbi 200. Numri i vendimeve të kthyera është 0. Numri i faljeve që po përgatiten për t’u bërë për personat e përcaktuar si të korruptuar është 0.”– shkruhet në postimin e ambasadës.
Ky reagim vjen pas deklaratës së ish-kryeministrit Berisha, i cili shprehej se nëse DASH do i kërkonte ndjesë për akuzat dhe shpalljen e tij “non grata”, ai do e falte.