Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë një paralajmërim të hapur anëtarit serb të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Këshilltari i DASH-it, Derek Cholle, përmes një postimi në “Twitter” ka zbuluar një bisedë telefonike që pati ditën e djeshme me Dodik.
Chollet ia ka bërë të qartë anëtarit serb të Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës se çdo veprim i tij kundër marrëveshjes së Dejtonit dhe korrupsionit do të ketë pasoja.
“Sot në një telefonatë me Milorad Dodik theksova se hapat e koalicionit qeverisës të RS për t’i minuar institucionet e Bosnjës e Hercegovinës janë të papranueshme.
Korrupsioni dhe veprimet kundër Dejtonit do të kenë pasoja. Duhet të ketë një kthim në dialog brenda institucioneve të Bosnjës e Hercegovinës.”– ka shkruar Chollet.
Ky paralajmërim për Dodik, vjen në një kohë të tensionuar në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku Republika serbe e vendit po bën një përpjekje për shkëputjen nga autoritetet qendrore dhe krijimin e institucioneve paralele në fushën e ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor.