Zgjerimi i NATO-s do të vazhdojë pavarësisht nëse Rusisë i pëlqen apo jo. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i bllokut të udhëhequr nga SHBA, Jens Stoltenberg, duke këmbëngulur se pavarësisht kundërshtimeve të Moskës, organizata e tij nuk përbën kërcënim.
Duke folur në një konferencë për shtyp të enjten, Stoltenberg trajtoi mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës, një rezultat që Kievi e ka shtyrë, por presidenti rus Vladimir Putin e ka përshkruar si një “vijë të kuqe”.
Ish-kryeministri norvegjez tha se nëse Ukraina do t’i bashkohet NATO-s varet nga shtetet anëtare të bllokut dhe lidershipi i tij dhe se Moska nuk duhet të ketë kontribut në vendim. Ai gjithashtu theksoi se NATO tashmë po e mbështet ushtarakisht kombin e Evropës Lindore.
“Vendet e NATO-s tashmë po trajnojnë trupat ukrainase dhe po konsultohen me ta.”-shpjegoi ai, citon RT. “Ata po kryejnë stërvitje të përbashkëta dhe po ofrojnë furnizime dhe teknologji ushtarake. Mbështetja e aleancës për Ukrainën nuk është një kërcënim për Rusinë.”
Stoltenberg shtoi se një partneritet i mundshëm me Ukrainën do të ishte pika kryesore në rendin e ditës në samitin e ardhshëm të NATO-s që do mbahet në Madrid në qershor 2022. Për temën nëse blloku do të vazhdojë të rritet, ai tha: “NATO po vazhdon procesin e zgjerimit. Ne kemi marrë tashmë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht nga protestat e Rusisë”. Ai premtoi se NATO nuk do të përpiqet të bëjë kompromis me Moskën, e cila ka kërkuar që blloku të rimendojë premtimin që bëri në vitin 2008 për të futur Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Zyrtari këmbënguli se ai dëshiron të ketë një dialog thelbësor me Rusinë. Kremlini, megjithatë, ka thënë se kjo ka qenë praktikisht e pamundur që kur NATO dëboi një grup diplomatësh rusë nga Brukseli në tetor, duke mbyllur efektivisht misionin e përhershëm të Moskës me aleancën.