Policia e Tiranës ka arrestuar sot tre persona të cilët ishin të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Mes tyre është edhe një 27-vjeçar, Bejo Bresho, i cili është dënuar me 7 vite burg për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
“Specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim Bejo Bresho, 27 vjeç, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 7 vite burg për veprën penale ‘Shfrytëzimi i prostitucionit’.” -thuhet në njoftimin e Policisë.
Dy personat e tjerë njëri i dyshuar për vjedhje dhe tjetri për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim Bejo Bresho, 27 vjeç, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 7 vite burg për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit F. D. (P), pasi ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Autostrada”, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit F. (Xh). L., 31 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik” kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe në bashkëpunim me shtetasin Xh. M. (i arrestuar në flagrancë), kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. (Xh). L. i është gjetur një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.