Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi Kombëtar i PD-së, çfarë pritet të ndodhë sot e pikat që do miratohen


Ndërsa ish-kryeministri Berisha dhe lëvizja e tij kanë thirrur sot referendum për shkarkimin e kreut të PD-së Basha me votat e anëtarësisë, ky i fundit do jetë në Pallatin e Kongreseve në Kuvendin Kombëtar që u njoftua javë më parë.

Gjatë zhvillimeve të punimeve të Kuvendit që nis zyrtarisht në orën 11:00 pritet të miratohen një sërë vendimesh të rëndësishme, ku te janë linjat kryesore që do diskutohen.

Pika e parë ka të bëjë me ish-kryeministrin dhe lëvizjen e tij duke qenë se pritet të miratohet ‘marrja e masave për të mbrojtur interesin e PD-së përkundër interesave pesonale të secilit anëtar që dëmtojnë ineresat politike të partisë si dhe axhendën e saj në përballjen me regjimin e Ramës’.

Pika e dytë do përfshijë miratimin e aksionit politik për të ardhmen e PD-së si dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci.

Ndërsa pika e tretë do jetë më shumë teknike e ka të bëjë me riorganizimin e partisë për të përgatitur strukturat e saj për zgjedhjet e ardhshme nën moton ‘Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri’.

Kuvendi do zhvillohet në Pallatin e Kongreseve po për shkak të numrit të kufizuar të ulëseve, një pjesë delegatësh do ulen në holl. Basha e kryesia e PD-së nuk e njohin Kuvendin e thirrur nga Berisha më 11 dhjetor dhe as vendimet e dala prej tij, duke thënë se janë të paligjshme e antistatutore.

Tashmë të dyja palët i janë drejtuar gjykatës së Tiranës duke kërkuar pasqyrimin e statuteve të miratuara në Kuvendet respektive, Basha në atë të 17 korrikut 2021 dhe Berisha në atë të 11 dhjetorit.