Vendosni fjalën kyçe....

Basha u kërkon ndjesë demokratëve: Gabimi im më i madh që lejova dualizmin në drejtimin e PD-së


Gjatë fjalimit të tij, Lulzim Basha ka pranuar se në 8 vite pozicioni i tij në krye të Partisë Demokratike ka qënë ‘në mëdyshje’ për shkak të dualizmit dhe protagonizmit të Sali Berishës.

Për këtë ai kërkoi falje para demokratëve, duke thënë se nuk duhej ta kishte lejuar këtë.

Basha shprehet se mendësia komuniste nuk mund t’i shoqërojë më demokratët.

“Por mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetren drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë.

Ndaj edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së.  Dualizmit në përceptim dhe dualizmit real, kur ish kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e  kryetarit me protagonizmin  e tij.  Faktet janë me qinda mijëra. Kushdo i ka parë. Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë.

Është përgjegjësia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur ketë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike. Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre.  Njohja e gabimeve është premisa e korigjimit të tyre. Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja.  Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen e një prej nyjeve të krizës për të  cilën po flasim. Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar.”- tha Basha.