Vendosni fjalën kyçe....

26-vjeçari në Zelandën e Re vdes pas një doze të vaksinës Pfizer


Zyrtarët e Zelandës së Re njoftuan të hënën se vdekja e një 26-vjeçari është lidhur zyrtarisht me vaksinën Pfizer-BioNTech pasi ai pësoi një inflamacion të rrallë të zemrës pas dozës së tij të parë të vaksinës Covid.

Në një deklaratë, Bordi i Pavarur i Monitorimit të Sigurisë për Vaksinën Covid-19, konfirmoi se miokarditi që kishte çuar në vdekjen e tij ‘ndoshta ishte për shkak të vaksinimit’.

I riu vdiq brenda dy javësh nga marrja e dozës së tij të parë dhe nuk kishte kërkuar ndonjë këshillë mjekësore ose trajtim për simptomat e tij. Miokarditi, i cili renditet si një efekt anësor i rrallë i mundshëm i vaksinës së Pfizer, shkakton një inflamacion të muskujve të zemrës, duke kufizuar rrjedhjen e gjakut dhe duke shkaktuar rrahje të çrregullta të zemrës.

Vdekja e tij është e dyta në Zelandën e Re që është lidhur me këtë efekt anësor. Në gusht, një grua pësoi një inflamacion të rrallë të muskujve të zemrës pasi mori vaksinën Pfizer, sipas një deklarate nga Ministria e Shëndetësisë dhe kjo çoi në vdekjen e saj.

Ndërsa ata ende nuk janë lidhur zyrtarisht me vaksinën Pfizer, zyrtarët thanë se po hetonin raportet e dy vdekjeve të mëtejshme të individëve të cilëve iu ishte bërë bërë vaksina, duke përfshirë një 13-vjeçar. Ndërsa bordi i monitorimit të sigurisë tha se kërkohej ende më shumë informacion për vdekjen e fëmijës, autoritetet e Zelandës së Re thanë se besonin se nuk kishte gjasa që rasti i dytë, vdekja e një burri në të 60-at, të kishte ardhur për shkak të vaksinës.