Vendosni fjalën kyçe....

Rama për publikimin e listës me paga: Mundësia të jetë sulm kibernetik është minimale


Kryeministri Edi Rama ka folur për skandalin lidhur me publikimin e listës së pagave të qytetarëve që ka qarkulluar prej disa ditësh në “Whatsapp”.

Gjatë fjalës së tij Rama foli për mënyrat se si mund të ketë rrjedhur informacioni, ku përfshihet edhe sulmi kibernetik. Por ai theksoi se nuk dukej si një sulm kibernetik, por më shumë si një infiltrim i brendshëm në të dhënat në Sistemin e përdorur nga Tatimet.

“Së dyti dëshiroj të sqaroj se këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje e cila duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj por nga analizat paraprake ngjan shumë më tepër si një ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe nga infiltrimi të jashtëm në formën e një sulmi kibernetik. Gjë që ndodh edhe kjo. Nuk jemi as të parët as të fundit.”– tha Rama.

Në një moment të dytë gjatë deklaratës së tij për mediet, Rama shtoi: “Thënë të gjitha këto, këtu si thashë analizat paraprake tregojnë që eventualiteti i një sulmi kibernetik është minimal. Eventualiteti i ndërhyrjes nga brenda në sistem përmes individësh është shumë i lartë.

Kështu që ndërkohë që përforcimi i mureve mbrojtëse vazhdon në mënyrë sistematike, në këtë rast është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet një hetim i thellë me ekspertë të fushës sepse nuk është një hetim i zakonshëm dhe të thirren, pyeten dhe merren nën hetim të gjithë inspektorët që kanë akses në sistem sepse ky është një sistem i hapur, një sistem pune. Dhe nuk mund të imagjinohet ndryshe.

Duke qenë se sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë për çdo ndërhyrje dhe duke qenë se nuk dallohen gjurmë në sistem, atëherë mundësia e infiltrimit dhe e shfrytëzimit kriminal të sistemit përmes veprimeve mekanike është shumë e lartë. Që do të thotë se këtu kemi të bëjmë me faktorin njerëzor dhe siç e thashë sistemi është një sistem relativisht I vjetër, atëhere ky ekspozim është më i lartë.”