Vendosni fjalën kyçe....

Protestë kundër vendosjes së antenave mbi tarracën e pallatit në Vlorë, banorët: Janë vdekjeprurëse


Banorët e një pallati në qytetin e Vlorës janë ngritur në protestë ditën e sotme kundër vendosjes së antenave telefonike.

Bëhet fjalë për 64 familje të një pallati në lagjen “Bashkimi” në Vlorë, të cilët kanë protestuar duke kërkuar që punimet e nisura të ndërpriten duke paralajmëruar se në të kundërt do të veprojnë vetë.

Sipas “Report tv”, banorët shprehen se nuk janë pyetur dhe nuk është kërkuar leje për vendosjen e antenave, në kundërshtim me ligjin.

“Është shqetësim i të gjithë banorëve. Jo vetëm që është e rrezikshme por ka krijuar një panik të madh. Ne duam që Qeveria shqiptare t’i heqë antenat nga pallatet dhe jo të krijojë kështu konfliktesh. Ne nuk kanë pyetur fare. Pallati është i shitur i gjithi dhe ai vjen e bën çfarë i do qejfi. Thotë kam marrë firmën e Kryeministrit. Ne nuk e lëmë me kaq.”- thotë një banor.

Ata thonë se nëse punimet nuk ndërpriten, ata vetë do të ndërhyjnë, duke i larguar dhe thyer.

“Pallati është shitur, është i joni. Askush s’mund të bëjë asgjë pa lejen tonë. Ata s’na kanë pyetur dhe e montuan pa lejen tonë.”- thotë një tjetër.

Një tjetër banore shprehet: “Nuk e lejojmë, ajo është vdekjeprurëse.”