Vendosni fjalën kyçe....

Ora News: Prokuroria dhe Tatimet sekuestrojnë “Telebingon”, policia nuk lejohet të hyjë në vilën e Dabullës


Prokuroria por edhe tatimet kanë vendosur sekuestron preventive për Telebingon. Shkak është bërë nisja e hetimeve me dyshimet për evazion fiskal. Përmes këtij veprimi, organi i akuzës  nuk lejon tjetërsimin e aksioneve, por dhe nuk lejon ndërhyrjen për përpunimin e të dhënave në server. Megjithatë procesi lejon funksionimin normal të subjektit.

Hetimi i prokurorisë së Tiranës, për kompaninë “Telebingo” dhe pronarin e saj, A.Dabulla, ka vijuar me vendosje të sekuestros prenventive, ku synohet parandalimi i tjetërsimit të aksioneve dhe fshirjes së të dhënave kompjuterike.

“Ora News” mëson se sekuestroja nuk konsiston në bllokimin e aktivitetit tregtar të kompanive, por në lënien në rruajtje të aseteve, serverave dhe mos tjetërsimin e tyre nga administratori i këtij biznesi.

Kjo masë shtrënguese për kompaninë “Telebingo”, që është vendosur tashmë nga prokuroria e Tiranës, është e dyta e këtij lloji.

Pasi për të njëjtën kompani ku pronar është, A.Dabulla, në datën 25 tetor 2021, është vendosur një masë e dytë siguruese nga Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara e Rajonit Qendror.

Prej disa ditësh kompania “Telebingo”, dhe pronari i saj, A.Dabulla janë vënë në qendër të një hetimi financiar nga prokuroria e Tiranës dhe oficerët e krimit ekonomik.

Tre oficerë të këtij sektori ditën e premte dhe të shtunë kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në zyrat e kompanisë “Telebingo”, duke sekuestruar një sërë provash shkresore që janë të vlefshme për hetimin.

Sipas burimeve nga policia e Tiranës, dokumentet e sekuestruara ishin futur në qese të zeza, dhe ishin bërë gati për tu hedhur në mbeturina.

Tashmë këto dokumente, janë bërë pjesë e dosjes hetimore, ku do verifikohen me imtësi. Kontroll policia ka kryer dhe në tre banesat e A.Dabullës.

Në dy prej tyre nuk janë gjendur sende të kundraligjshme dhe materiale kompromentuese, që i shërbejnë hetimit të çështjes.