Zgjerimi i NATO-s te vendet ish-anëtare të ish-Bashkimit Sovjetik është një çështje për ‘jetë a vdekje’ për Rusinë, ka paralajmëruar Kremlini.
Duke folur për televizionin kombëtar të dielën, Peskov përsëriti qëndrimin e Moskës për zgjerimin e NATO-s drejt lindjes. Ngjitja e mundshme e ish-republikave sovjetike në aleancë mbetet krejtësisht e papranueshme për Rusinë, shpjegoi ai.
“Zgjerimi i NATO-s në vende të tilla si Ukraina, ndoshta vende të tjera që dikur ishin në Bashkimin Sovjetik, është në fakt një çështje jete a vdekjeje për ne.” – tha Peskov.
Në fillim të këtij muaji, presidenti Putin hodhi idenë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të garancive të sigurisë midis Rusisë dhe Perëndimit. Ideja tashmë është materializuar në dy draft dokumente, një për SHBA-në dhe një tjetër për bllokun e NATO-s në tërësi. Ndër të tjera, marrëveshja e propozuar parashikon një marrëveshje për të ndalur zgjerimin drejt lindjes të NATO-s.
Rusia këmbëngul se një marrëveshje e tillë duhet të vijë në një formë të shkruar, ligjërisht të detyrueshme, duke vënë në dukje se premtimet e bëra nga Perëndimi për të mos e shtyrë NATO-n drejt lindjes pas rënies së Bashkimit Sovjetik u thyen.
“Gjatë dy dekadave të fundit, edhe më shumë, ne jemi mashtruar vazhdimisht dhe si rezultat i këtij mashtrimi kemi ardhur në një situatë ku siguria jonë është nën kërcënim.” – tha Peskov.