Vendosni fjalën kyçe....

Agjencia shëndetësore në Kanada spiunoi miliona njerëz gjatë bllokimeve të Covid-19


Agjencia e Shëndetit Publik në Kanada ka pranuar se ka gjurmuar në mënyrë të fshehtë të dhënat e vendndodhjes nga të paktën 33 milionë pajisje celulare për të analizuar lëvizjen e njerëzve gjatë bllokimeve të vendosura në vend për t’u mbrojtur nga Covid-19.

Agjencia në fillim të këtij viti mblodhi të dhëna, duke përfshirë informacionin e vendndodhjes gjeografike nga antenat celulare, “për shkak të urgjencës së pandemisë”, tha një zëdhënës i PHAC për National Post. Të dhënat e gjurmimit të qytetarëve dyshohet se janë përdorur vetëm për të vlerësuar efektivitetin e masave të bllokimit dhe për të identifikuar lidhjet e mundshme midis lëvizjes së njerëzve dhe përhapjes së Covid-19.

RT shkruan se PHAC e mori informacionin, i cili u “çidentifikua dhe u grumbullua”, nëpërmjet një kontraktori të jashtëm, gjigantit kanadez të telekomunikacionit Telus. Kontrata zgjati nga marsi i kaluar deri në tetor dhe PHAC tha se nuk kishte më akses në këto të dhëna pas skadimit të marrëveshjes.

Megjithatë, agjencia planifikon të gjurmojë në mënyrë të ngjashme lëvizjet e qytetarëve gjatë pesë viteve të ardhshme me qëllime të tilla si parandalimi i përhapjes së sëmundjeve të tjera infektive dhe përmirësimi i shëndetit mendor. PHAC javën e kaluar publikoi një njoftim për kontraktorët e mundshëm që kërkonin të dhëna anonime celulare që datojnë që nga janari 2019 dhe që zgjat të paktën deri në maj 2023.

Kritikët argumentuan se gjurmimi i qytetarëve nga qeveria ka të ngjarë të jetë më i gjerë se sa është zbuluar dhe mund të bëhet më shqetësues në vitet në vijim.

“Unë mendoj se publiku kanadez do të mësojë për shumë iniciativa të tjera të ngjashme të mbikqyrjes së paautorizuar përpara se të përfundojë pandemia dhe më pas.”- tha avokati i privatësisë David Lyon për Post. Ai vuri në dukje gjithashtu se të dhënat “e çidentifikuara” mund të “riidentifikohen” lehtësisht.