Vendosni fjalën kyçe....

“KEDS t’i kthehet Kosovës” – Protesta në Kosovë kundër ndërprerjes së energjisë elektrike


Një grup qytetarësh kanë protestuar sot më 27 dhjetor në Prishtinë, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike.

“Duam rrymë e jo arsyetime”, “Asnjë cent më shumë”, “Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, ishin disa prej sloganeve në pankartat që mbanin në duar protestuesit.

Protestuesit u mblodhën pranë ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe më pas protestuan edhe para ndërtesës së Qeverisë.

Javën e fundit, konsumatorët janë përballur me reduktime të energjisë elektrike prej 2 orësh për shkak të krizës energjetike.

Protestuesit kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, të rregullojë problemin me energjinë elektrike. Sipas tyre, shkëputjet e energjisë në fshatra po zgjasin edhe nga 12 orë e ndonjëherë edhe 24 orë.

Me parrullën “KEDS t’i kthehet Kosovës”, qytetarët kërkuan që autoritetet të shkëpusin kontratën me kompaninë që ka privatizuar KEDS-in dhe ajo t’i kthehet autoriteteve shtetërore.

Protestuesit kanë kërkuar edhe shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.