Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja Basha-Berisha ‘çan’ edhe RD-në


Teksa PD po kalon një krizë të thellë në përplasjen që po ndodh mes kreut të saj Basha e ish-kryeministrit Berisha, pas shpalljes së këtij të fundit non grata nga administrata amerikane pak muaj më parë, valët e përplasjes janë shtrirë në të gjitha nivelet.

Jashtë efekteve të përplasjes lart, nuk ka mbetur as gazeta Rilindja Demokratike, që ka qenë organi zyrtar i PD-së. Megjithatë me ndryshimet statutore të bëra disa kohë më parë, RD-ja u shkëput nga statuti integral i partisë. Pavarësisht kësaj, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, PD-ja e drejtuar nga Basha vijon të kontrollojë emërimin e administratrorit të gazetës RD, ç’ka nënkupton edhe kontrollin e linjës editoriale dhe stafit.

Për këtë arsye, Blendi Kasmi, kryeredaktori i RD-së i cili mbështet Berishën ka hapur tashmë median RD-News, duke qenë se Rilindjen Demokratike e kontrollon zyrtarisht PD-ja zyrtare që drejtohet nga Lulzim Basha.

Kthyer pas në origjinë, Partia Demokratike ishte e vetmja që kishte një organ zyrtar shtypi, që ishte RD-ja por çarja që ka ndodhur pas shpalljes së Sali Berishës non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka çuar edhe në parcelizimin e gazetës së parë të Shqipërisë pluraliste.

Deri pak kohë më parë, zyrat e stafi i gazetës qëndronin në katin e parë të godinës së PD-së, ose siç njihet ndryshe SHQUP-i po më pas janë zhvendosur që aty. Sipas të gjitha gjasave, pjesë e mosmarrëveshjes përveç logove, vulës e simboleve të PD-së do jetë edhe gazeta RD e drejtimi i saj do jetë një çështje që do shtyrtohet e vendoset nga gjykata, siç ka ndodhur me kërkesat që Basha e Berisha i kanë drejtuar së fundmi asaj për statutet respektive.

Gazeta RD lindi në 1991 si dritare e fjalës së lirë, pluralizmit dhe opozitarizmit, por me kalimin e kohës ajo u identifikua si një instrument nën tutelën e Berishës, që u përdor në disa raste për të linçuar dhe kundërshtarët e tij brenda partisë. Një shembull domethënës është ai ndaj Azem Hajdarit në vitin 1995.

Ish-kreu i PD-së Berisha gjatë qeverisjes 8-vjeçare 2005-2013 refuzoi të investonte dhe modernizonte mediat që e mbeshtetën në opozitën e vështirë të pas ‘97-ës. Me Mero Bazen u bë armik. Shijak TV e la thuajse në faliment ndërsa RD-në në harresë. Partneret e Berishës në pushtet u bënë Aleksandër Frangaj, Henri Çili, etj.

Kreu i PD-së Basha nga ana e tij nuk ka shfaqur ndonjë vizion në lidhje me lojën dhe aleancat mediatike. Aktualisht ai ka humbur edhe mbështetjen e Syri.net që ishte dhe media kryesore e lidhur me PD-në dhe elektoratin e saj. Syri.net nga mbështetëse e paepur e Bashës ka kaluar në pozita armiqësore me të pas shpalljes non grata të Berishës.

Kriza në PD duket ende larg paqtimit a zgjidhjes. Ndërsa kreu i PD-së Basha ka theksuar në më shumë se një rast se i ka të gjitha mjetet dhe kapacitetet për të siguruar partinë e për të vijuar punën e misionin e tij opozitar kundër qeverisë së Ramës, Berisha ka dhënë një ultimatum të fundit.

Më 8 janar, pas protestës së thirrur prej tij, ai ka deklaruar se 44 mijë anëtarët që votuan për shkarkimin e Bashës në referendum do marrin në duart e tyre godinën dhe fatet e PD-së, nëse Basha nuk dorëhiqet. /Hashtag.al