Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dyshohet se mbështeti eksperimente sekrete për skizofreninë mbi 311 fëmijë danezë, shumë prej të cilëve të birësuar ose të marra nga jetimore, gjatë fillimit të viteve 1960, sipas një dokumentari të sapopublikuar.
Dokumentari i Radios Daneze “The Search for Myself” akuzon agjencinë amerikane të spiunazhit për mbështetjen e eksperimenteve në Spitalin Komunal në Kofenhagen. Studimet thuhet se po hetonin lidhjen midis skizofrenisë dhe trashëgimisë ose mjedisit.
Per Wennick, i cili pretendon se ka qenë pjesëmarrës në eksperimente si fëmijë, pretendoi se ishte vendosur në një karrige, me elektroda të lidhura me të dhe i detyruar të dëgjonte zhurma të forta dhe të mprehta. Qëllimi i testit supozohet se ishte të zbulonte nëse një fëmijë kishte tipare psikopatike.
“Ishte shumë e pakëndshme. Dhe nuk është vetëm historia ime, është historia e shumë fëmijëve”, tha Wennick, duke përshkruar përvojën e tij.
“Mendoj se kjo është shkelje e të drejtave të mia si qytetar në këtë shoqëri. Më duket kaq e çuditshme që disa njerëz duhet të dinë për mua më shumë sesa unë vetë kam qenë në dijeni.
Projekti u bashkëfinancua nga një shërbim shëndetësor i SHBA-së, duke marrë mbështetje nga Fondi i Ekologjisë Njerëzore, i cili operon në emër të CIA-s, sipas Wennick dhe Arkivit Kombëtar.
Ndërsa fëmijëve nuk iu tha se për çfarë ishin eksperimentet, gjatë ose pas hulumtimit, një disertacion u botua në vitin 1977 nga psikiatri danez Find Schulsinger, duke dhënë hollësi për studimin.
Jacob Knage Rasmussen i Muzeut Danez të Mirëqenies tha se kjo është hera e parë e dokumentuar ku fëmijët nën kujdes janë përdorur për qëllime kërkimore në vend.
“Nuk di të ketë përpjekje të ngjashme, as në Danimarkë dhe as në Skandinavi. Është informacion i tmerrshëm që bie ndesh me Kodin e Nurembergut të vitit 1947, i cili pas Luftës së Dytë Botërore do të vendoste disa kufizime etike për eksperimentet mbi njerëzit”, tha Rasmussen.