Kryeministri Edi Rama, ka vizituar në ditën e fundit të 2021-shit Portin e Durrësit. Bashkë me të ishte edhe një pjesë e kabinetit qeverisës, të cilët zhvilluan një takim me drejtuesin e kompanisë globale Emaar Group, Mohamed El Alabbar, që po punon për ndërtimin e portit të ri turistik.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kanë nisur hapat e parë për realizimin e këtij projekti. Fillimisht po bëhet pastrimi i një pjese të plazheve, e më pas, do të kujdeset që të bëhet edhe pastrimi në thellësi të detit. Kjo u konfirmua edhe nga drejtuesi i kompanisë Emaar Group.
“Me drejtuesin e kompanisë globale Emaar Group, Mohamed El Alabbar, në kuadrin e përgatitjeve për pastrimin e zonës ku do të realizohet Faza 1 e ndërtimit të Portit të Ri Turistik të Durrësit, ndërkohë që investitori do të angazhojë një financim të konsiderueshëm për pastrimin e ujit të detit përgjatë plazhit të ri që do të krijohet në zonën e Fazës 1.”- shkruan Rama ndërsa publikon një video nga kjo vizitë.
Gjatë bisedës së tyre, El Alabbar tha se në përfundim të veprës së plotë, qyteti i Durrësit do të jetë një nga më të bukurit në Mesdhe.
Pjesë nga biseda:
Edi Rama: Në këtë fazë ne po punojmë me 3 konsulentë. Kemi një konsulent mjedisor amerikan, një tjetër belg dhe një grup nga Dubai. Ata propozojnë disa gjëra për përmirësimin e mjedisit, por interesante është që do të futemi thellë në det për të pastruar. Kjo është e bëshme për të krijuar diçka të klasit botëror. Mund të ndërtosh shumë gjëra në tokë, por kur uji s’është i një niveli të mirë, kush do të vijë?
El Alabbar: Është punë e madhe, do të shpenzohet para, por sot është gjithçka e bëshme.
Edi Rama: Do të punojmë me kryetarin e Bashkisë për projektin e madh të plazhit të Durrësit, plazheve popullore. Faleminderit që po na ndihmoni me idetë tuaj për këtë çështje. Kemi vendosur një sasi të madhe parash në dispozicion. Do të nisim me fazën e parë në 2022. Ndoshta rreth majit, qershorit, e më pas do të vazhdojmë më tej. Në atë moment çmimet do të rriten. Pronave do u rritet vlera. Hotelet do të fitojnë më shumë.
El Alabbar: Kjo do e shndërrojë Durrësin në diçka të mrekullueshme. Përvoja ime modeste në vende që kam investuar, vlera e pasurive të paluejtshme gjithmonë rritet dhe fiton publiku.
Edi Rama: Jam i sigurt që banorët e Durrësit dhe qytetarët e Shqipërisë do t’ju jeni mirënjohës. Ka qenë e pamundur për ne ta bëjmë të vetëm. Pastrimi i kësaj pjese të plazhit dhe transformimi i plazhit që ju keni projektuar është diçka historike për qytetin. Qyteti ka vuajtur nga ndotja dhe marrëzia sa askush nuk ka menduar këtë. Gjithçka u bë konkrete kur ju u shfaqët.