Toka po përballet me ngjarjen më të madhe të zhdukjes që nga fundi i epokës së dinosaurëve, me një milion specie në rrezik të zhdukjes brenda disa dekadave të ardhshme, ka thënë në një raport Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF).
I titulluar “Fituesit dhe Humbësit e 2021”, artikulli i botuar të mërkurën, rendit kafshët e rrezikuara, popullsia e të cilave është zvogëluar ose rritur më shumë këtë vit.
“Elefantët e pyjeve afrikane, arinjtë polarë, bretkosat e pemëve, lundrat dhe disa lloje peshqish janë vetëm disa nga humbësit në vitin 2021. Ata përfaqësojnë mijëra specie kafshësh të rrezikuara”, tha WWF.
Midis ‘fituesve’, organizata liston rrëqebullin iberik, një nga macet më të rralla në botë, së bashku me rinocerontët nepalezë dhe disa lloje zogjsh.
“Rreth një milion specie mund të zhduken brenda disa dekadave të ardhshme, gjë që do të shënonte zhdukjen më të madhe të specieve që nga fundi i epokës së dinosaurëve”, pohoi organizata.
Sipas një anëtari të bordit të WWF, Eberhard Brandes, mbrojtja e specieve tani përfshin pyetjen ‘nëse njerëzimi një ditë do të përfundojë në listën e kuqe në një kategori rreziku dhe do të bëhet humbës i mënyrës së tij të jetesës’.
Tani për tani janë më shumë se 40,000 lloje të kafshëve dhe bimëve në Listën e Kuqe Ndërkombëtare, të cilësuara si të kërcënuara me zhdukje nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).