Prokuroria ka nisur marrjen në pyetje sot të doganierëve dhe punonjësve të skanerit në Portin e Durrësit, nga ku kaloi një kontenier me 119 kilogramë kokainë i cili u kap në Vaqarr.
Sipas televizionit “News 24” hetuesit po marrin në pyetje punonjësit e portit për të kuptuar si kontenieri mundi të dilte i pastër gjatë kalimit në skaner.
Hetimet kanë nisur pasi më 28 Dhjetor, në një magazinë në Vaqarr të Tiranës, iu gjet lënda narkotike në një kamion me kontenier me banane.
Sipas uniformave blu, kamioni me kontenierin me banane ka kaluar transit në një port në Itali. Autoritetet italiane kanë konstatuar mungesën e vulës, dhe për këtë arsye ushtruan kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banana.
Pas kësaj, kontejneri është mbyllur dhe ripumblosur dhe më pas arriti në portin e Durrësit. Nga kontrolli në skaner, kontenieri ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti me destinacon magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.
Por përgjatë aksit Durrës – Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontenierin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të veshur si policë të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Por në vend që ta raportonte ngjarjen, pikëpyetje e madhe është që shoferi nuk njoftoi policinë, por sistemoi arkat me banane, mbylli kamionin dhe njoftoi kolegët se i ishin shpuar dy goma. Ai informoi vetëm një ditë më vonë.
Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Kur policia ndërhyri, zbuloi se në 7 arka ishin fshehur në pjesën e poshtme të tyre, 100 pako me lëndë narkotike kokainë. Kontenieri me banane kishte ardhur nga Ekuadori.