Mësohet se 12 persona janë shoqëruar në polici pas protestës së sotme të grupit të mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike.
Këta persona janë shoqëruar në komisariatin nr.1 në kryeqytet, pas ndërhyrjes së Policisë e cila i largoi protestuesit nga selia.
Kujtojmë se gjatë protestës mbështetës të Berishës tentuan që të hynin në ambientet e selisë blu, duke thyer dyert dhe u ngjitur me shkallë në katin e dytë por disa prej tyre u goditën me sende të forta nga mbështetës të Lulzim Bashës. Incidentet çuan në lëndimine një personi.
Policia e Shtetit ka publikuar një noftim ku bën me dije se ka filluar veprimet procedurale, në selinë e PD-së2, për këqyrjen e çdo ambienti ku ndodhen incidentet e dhunës.
“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës.
Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.
Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëlllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.
Në vijim do të ketë njoftime të tjera lidhur me këtë situatë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.